Mbi 200 të vdekur nga tërmeti në Meksikë

20/09/2017 00:00

Bilanci i viktimave, në Meksikën e tronditur brenda pak javësh nga një tërmet i dytë i dhunshëm, ka mbërritur në 216 të vdekur. Me dhjetëra ndërtesa u shembën në kryeqytetin Mexico City nga lëkundjet e magnitudës 7.1 të shkallës Rihter.

Shkatërrimi i një shkolle, nga sa pohoi vet presidenti Enrique Peña Nieto, i ka marrë jetën 20 fëmijëve, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

“Është një shkollë në jug të qytetit, një shkollë private, pjesa më e madhe e së cilës është rrënuar sërish. Për fat të keq kanë humbur jetën fëmijë të vegjël që nga klasa e parë e shkollës fillore. 22 trupa janë gjetur deri tani atje, dy janë të rritur. Me dhjetëra fëmijë nuk gjenden ende. Ekipet e emergjencës janë angazhuar maksimalisht në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Në atë zonë janë zhvendosur më shumë se 500 persona, ushtarë e marinsa”, tha Enrique Peña Nieto, president i Meksikës.

Tërmeti erdhi pikërisht në kohën kur shumë njerëz ishin duke marrë pjesë në një simulim situate alarmi nga luhatjet e tokës, në 32-vjetorin e tërmetit që vrau me mijëra vetë në Mexico City. Vendi, më herët gjatë muajit, u godit nga një tërmet i magnitudës 8.1 , i cili shkaktoi më pak të vdekur sesa ky i fundit.

Uraganët e Atlantikut, nga njëra anë, e tërmetet e Meksikës, nga ana tjetër, kanë shtuar frikën se ndoshta në parashikimin apokaliptik të murgeshës portugeze, Lucia de Fatima, një prej 3 fëmijëve që thanë në vitin 1917 se kishin parë Shën Mërine, e cila profetizon një megacunam në SHBA, mund të ketë diçka të vërtetë.

Motër Lucia, që parashikoi me saktësi Luftën e Dytë Botërore dhe plagosjen e Papa Gjon Palit të dytë, pati një vizion ku shihte shpërthimin e një vullkani në ishujt Kanarie dhe rënien më pas në det, që do të shkaktonte një dallgë gjigante batice. Shkencëtarët paralajmërojnë se një skenar i tillë nuk është krejtësisht i pamundur.

Top Channel

FOTO
Tërmeti në Meksikë, rritet numri i viktimave