Gjyqi ndaj Shkrelit, vështirësi në zgjedhjen e jurisë

18/08/2017 00:00

Mos trego mungesë respekti për Wu-Tang Clan, nëse dëshiron një gjykim të drejtë.

Transkriptet e intervistave për përzgjedhjen e anëtarëve të jurisë në gjyqin ndaj Martin Shkrelit, sipërmarrësit farmaceutik që u bë njeriu më i urryer në Amerikë, tregojnë se gjetja e 12 burrave të mirë, ose grave, nuk ishte një detyrë e lehtë, të paktën jo në këtë rast.

Shkreli u dënua për mashtrim më herët këtë muaj, pasi kishte përfshirë investitorët në dy fonde të dështuara besimi. Por Shkreli u bë i famshëm për rritjen e çmimit të një ilaçi të përdorur nga njerëzit e prekur nga AIDS me 5.000 për qind dhe për blerjen e kopjes së vetme të albumit të Wu-Tang Clan në vitin 2014, duke mos lejuar askënd tjetër ta dëgjojë atë.

Si pasojë, gjatë 3 ditëve në qershor, Gjykata e Brooklyn është përpjekur me dëshpërim të gjejë anëtarët e jurisë që mund t’i garantonin Shkrelit një gjykim të ndershëm. Në disa raste, të intervistuarit thonin se e njihnin të akuzuarin dhe e urrenin atë, për atë që kishte bërë.

Një prej kandidatëve thotë: Nëna ime më tregoi vetëm dje se ilaçet e kancerit të babait tim i kushtojnë plot 9.000 dollarë në muaj. Do ta kisha të vështirë ta gjykoja pa u ndikuar nga kjo.

“Kam dëgjuar lajmin sesi i akuzuari ndryshoi çmimin e një ilaçi duke e shitur atë më shtrenjtë. Kam dëgjuar edhe se bleu albumin e Wu-Tang Clan për një milion dollarë. Nuk mendoj se mund ta gjykoj drejt”, thotë një tjetër kandidat.

“Ai është totalisht fajtor dhe nuk do të mund ta lejoja të shpëtonte”, thotë një tjetër i intervistuar.

“Ky është qëndrimi juaj ndaj çdo të akuzuari për një krim, që ende nuk është shpallur fajtor?”, pyet gjykatësi.

“Është qëndrimi im ndaj asaj që ka bërë ai, e për më tepër ka treguar mungesë respekti për Wu-Tang Clan”, përgjigjet ai.

Top Channel