Kontratë në kohën e Balilit, u nënshkrua kur ai kërkohej

19/07/2017 00:00

Emrin e tij e dëgjonin prej më shumë se një viti në lajmet e mediave, por banorët e fshatrave Piskovë e Grabovë në Përmet, mësuan vetëm pak javë më parë se tokat në zonën ku ata jetojnë i kanë marrë me qira njerëzit e të shumëkërkuarit Klement Balilit nga Delvina.

Një vit më parë, në korrik të vitit 2016, pikërisht në kohën kur politika ziente nga akuzat e kundërakuzat për lidhje me të ashtuquajturin “Eskobar i Ballkanit”, ministria e Bujqësisë lidhte kontratë qiradhënie për 90 hektarë tokë me një kompani nga Delvina me afat 90-vjeçar.

Të shqetësuar, banorët e Piskovës u ankuan në Këshillin Bashkiak. Ata thonë se nuk kishin asnjë njoftim se tokat pranë banesave të tyre kishin dalë në ankand.

“Nuk na tha askush që tokat u dhanë me qira”, shprehet Aleks Kosta, banor i Piskovës.

“Banorët e këtyre fshatrave kanë reaguar. Nuk janë pyetur dhe ndjehen të përjashtuar nga ndonjë lloj tenderi që është bërë. Le të investigohet për këtë”, thotë Miranda Habili, kryetarja e Këshillit Bashkiak.

Mungesën e informimit në institucionet e pushtetit vendor për këtë ankand e konfirmon edhe sekretari i Këshillit Bashkiak.

“Këshilli Bashkiak kërkoi sqarim nga kryetari i Bashkisë, i cili sqaroi se dhe ai nuk kishte asnjë njoftim për zhvillimin e këtij ankandi”, thotë Veli Mehmeti, sekretar i Këshillit Bashkiak.

Kryeplaku i fshatit Piskovë thotë se ka dëgjuar se tokat i kanë marrë të afërmit e Balilit, por është mosbesues.

“Tokat e fshatit Psikovë, ato që nuk janë ndarë me ligjin 7501, i zotërojnë po ato njerëz të fashtit që i kanë pasur me qira. Kanë dalë një herë fjalë gjatë fushatës se tokat u janë dhënë atyre Balilëve, por nuk e di si është shprehur ai sekretari i komunës në fshati Piskovë, por fakti është që nuk ekziston një mundësi e tillë”, shprehet Engjëll Zoto, kryeplak i Piskovës.

Këshilli Bashkiak diskutoi dhe me 10 korrik i kërkoi Kryeministrit Rama të anulojë këtë kontratë qiraje. Këshilli thotë se është bërë një padrejtësi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

“E cila ka dhënë me qira shoqërisë “Alb Universal” në zotërim të Albin Balilit, njeri i afërt i Klement Balilit, një sipërfaqe toke bujqësore prej 90,466 hektarë me kontratë 90 vjet”.

Kompania “Alb Universal 95”, me qendër në Delvinë, është nën administrim të zonjës Xhesjana Ballaci, e cila e mori në zotërim në janar të vitit 2016 nga shtetasi Albin Balili.

Tashmë, gjithçka është në dorë të Kryeministrit. Edi Rama ka nisur turin e dëgjesave me njerëzit, por a do ta dëgjojë ai edhe këtë ankesë të banorëve të Piskovës?

Top Channel