Ekspozita e pikturës; Dhërmiu në telajo

25/05/2017 00:00

Jorgji Gjikopulli është gjithë kohën në një aventurë me ngjyrën. Por edhe i kujdesshëm që kjo ngjyrë të jetë në harmoni të plotë në telajon e tij.

Ekspozita që ai sjell në “Galerinë Fab”, “Atje ku kam qenë, atje ku dua të jem” është e gjitha kushtuar vendlindjes së tij Dhërmiut. Vendin të cilin ai nuk e gjen dot më siç e ka në kujtime.

“Unë kam shkuar disa herë në atë vend dhe nuk është ai që ishte. Kur pikturoj, pikturoj nëpërmjet kujtesës sime. Nëpërmjet emocionit që më ka lënë, përshtypjen që më ka lënë. Nostalgjinë që mund të kem për atë vend dhe jo konkretisht si të thuash shih e bëj”, shprehet Jorgji Gjikopulli.

Piktura e tij vjen aq e këndshme si një shkëlqim drite kur del dielli pas shiut. Prandaj edhe ajo kaq më së shumti dritë.

“Ka piktura që janë të ngjyrosura me ngjyra të sheshta dhe njolla të mëdha, por mua më pëlqen që edhe brenda njollës së madhe prapë të ketë nuanca të tjera më të vogla që pranëvënia e saj të lejon të lexosh më shumë, të shohësh dritë më tepër në telajo”, thotë Jorgji.

Mjediset e tij janë të përcaktuara mirë gjeografikisht, por në telajon e tij ka personazhe të ngjizura me ngjyrë. Ndonëse në dukje të pavlerësuara ato dalin aty këtu për të na kujtuar se ndodhemi ende në një botë tokësore.

“Për mua ka rëndësi që ç’mundësi ngjyrale do të më japin ato objekte kur i hedh në telajo”, thotë ai.

Top Channel