Fotografi gjerman Julius Eb e vizitoi Shqipërinë në vitin 2008, për t’u rikthyer një vit më parë, kur vuri re shumë ndryshime të shumta nga vizita e tij e fundit. Objektivit të artistit gjerman nuk mund t’i shpëtonte edhe procesi aq i shumëpërfolur i Vettingut.

“Njëra nga fotot e mia i adresohet procesit të Vettingut. E kam titulluar “Kur dalin të palarat”, sepse për mua Vettingu është si procesi i pastrimit të rrobave të palara. Është si një tel në të cilin nderen për t’u tharë, 10 apo 20 këmisha rresht”, shprehet Julius Eb, fotograf.

Ciklin e tij të fotografive ai e titulloi “Gjenerata A”, për atë brez që thuajse nuk e njohu aspak diktaturën komuniste, ai brez i dhënë pas makinave të luksit dhe veshjeve të kohës së fundit, që bashkëjeton me blloqet e betonit, që tregojnë historinë e një tranzicioni që duket se nuk do të mbarojë kurrë.
 
“Ngjyra roze në fotografitë e mia, është një nuancë e së kuqes, e cila përfaqëson tranzicionin e vjetër të periudhës komuniste. Kam zgjedhur zona të ndryshme të Tiranës, në të cilat e sjell në variancione të ndryshme këtë ngjyrë. Më pëlqen të përdor metaforat si për shembull kutia e hapur për të thënë se tranzicioni në vetvete është diçka në proces  e sipër. Koncepti i stalinizmit dhe komunizmit për mua nuk kanë funksionuar, ndaj kjo është arsyeja pse Stalinin e kam vënë kokëposhtë”, thotë fotografi.

Por si funksionojnë gratë në këtë tranzicion të Shqipërisë?

“Përderisa gratë e kanë përjetuar më rëndë tranzicionin në mënyrë dramatike do thosha, i kam dedikuar disa punë, në të cilat i shohim femrat në lëvizje, gjithnjë dinamike. Diku shohim një grua të moshuar, diku tjetër një vajzë në bllok me sytë rreth e qark. E gjitha kjo për të dhënë idenë e kontrastit në mënyrën se si arti ballafaqohet me të kaluarën”, thotë Julius Eb.

“Gjenerata A” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 15 maj në GKA.

Top Channel