8 Marsi, Kodheli dhe Bushati me gratë e Shkodrës

08/03/2017 00:00

Aktiviteteve me rastin e 8 Marsit iu bashkuan edhe ministrat Ditmir Bushati dhe Mimi Kodheli, të cilët zhvilluan takime me gratë në Shkodër.

Me ministrat u bashkuan në panel gra të fushës së sipërmarrjes, edukimit dhe shoqërisë civile. Ministrja Kodheli foli për luftën ndaj diskriminimit të grave dhe sesi fushatat mund të jetë të suksesshme.

“Ne të gjitha së bashku duhet të përballemi edhe njëherë me sfidat e nënave tona dhe jo vetëm. Të luftojmë injorancën dhunën dhe krimin në familje duke punuar me burrat dhe duke u mbështetur prej tyre, pasi përkrah kemi djem të shkëlqyer, njëri prej të cilëve është këtu në sallë, Ditmiri”, tha ministrja Kodheli.

Në fjalën e tij, Bushati vlerësoi kontributin e komunitetit shkodran në emancipimin dhe rritjen e pozicionit të gruas ndër vite, jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë.

“Shumë prej personaliteteve më të shquara gra kanë dalë nga ky truall, nga kjo tokë. Shkodra me identitet të spikatur, një nga portat e Europës adriatike, vijon të jetë edhe sot një komunitet vibrant, duke dhënë një kontribut unik në kulturën e vendit tonë”, tha Bushati.

Takimet e ministrave vijuan po në rrethin e Shkodrës, ku u vizituan disa aktivitete sipërmarrëse të ngritura nga gratë.

Top Channel