“Njollat e Murrme” vjen pas 48 vitesh në Teatrin e Metropolit, por jo e plotë. Mënyra është në formën e “Forum Teatrit”, duke përzgjedhur dy episode kryesore të veprës së ndaluar të 1973-shit (e vënë në skenë për herë të fundit në 1968-n). Vepra e Minush Jerosh, e dënuar nga diktatura, u ndërroi jetën shumë artistëve.

“Ne kemi zgjedhur dy skena, pikërisht për t’i përdorur me ‘Forum Teatër’, për ta ftuar publikun që ta transformojë veten e tij nga të qenit thjesht spektator në spektaktor. Dikush që është në sallë ka të drejtën edhe të shikojë, por edhe të veprojë”, tha regjisorja Sonila Kapidani.

Në skenën e Teatrit të Metropolit po rikthehen disa nga veprat shqiptare më në zë, por të lëna gjithashtu në harresë. Format e komunikimit janë të larmishme, ashtu si në këtë version, që përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë publikun.

“Kjo formë e teatrit duhet të jetë sa më reale, sa më e natyrshme, me qëllim që publiku të angazhohet dhe të bëhet pjesë e saj. Duhet t’i përkasë gjuhës së përditshme të përdorur nga ne, gjuhë që flet me të gjithë qenien: edhe me gjeste, edhe me mimikë, por edhe me tekst”, shtoi më tej Sonila Kapidani.

Premiera prej 60 minutash vjen pasditen e së mërkurës, nën interpretimin e Shkëlzen Berishës, Armela Demajt, Klodjana Kecos, Roerd Toces e Arben Brucit.

Top Channel