Reforma zgjedhore, PS-ja rrëzon propozimet e PD-së për financimet dhe votën elektronike

11/10/2016 00:00

Mes shqiptarëve të Italisë, Presidenti Bujar Nishani propozoi vende të rezervuara si zgjidhje për përfaqësimin e emigrantëve në Parlament.

“Vendet rreth nesh e kanë zgjidhur, e kanë gjetur formulën. Me vende të rezervuara për emigrantët”, tha Nishani.

Por, realizimi i këtij propozimi tani është i pamundur. Ai kërkon ndryshimin e Kushtetutës për sistemin zgjedhor, një çështje që nuk është në axhendën e komisionit për reformën elektorale. Megjithatë, çështja e emigrantëve nuk është e përjashtuar nga axhenda. Partia Socialiste ka një ide të vjetër që në opozitë për pjesëmarrjen e tyre në votim.

“Nëse bëhet përmes postës, ky është një proces shumë i kontrolluar. Nuk besoj se ka njeri që të kontestojë. Nëse bëhet përmes shërbimit konsullor, nuk besoj se ka njeri të mendojë se shërbimi ynë i jashtëm është i politizuar”, shpjegoi Balla.

Socialistët janë në favor të votimit me postë, një sistem, sipas tyre, më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm për shtetin, duke e llogaritur koston finale të dërgimit të zarfit jo më shumë se 20 euro. Kjo platformë, njësoj si ajo e Partisë Demokratike për zgjedhjet, nuk është diskutuar zyrtarisht në komision, por bashkë me qëndrimin për votën e emigrantëve, socialistët bënë të qartë publikisht edhe qëndrimin kundër për dy prej shtyllave kryesore të platformës së opozitës.

“Nuk ka kohë për votimin elektronik. Nuk rrezikojmë dështimin e zgjedhjeve për shkak të infrastrukturës“, tha socialisti Taulant Balla.

Propozimi tjetër që rrëzoi Partia Socialiste lidhet me financimin 100% nga buxheti i shtetit i fushatës elektorale.

“Nuk mund të bëhemi ne vendi i parë që financojmë plotësisht një fushatë zgjedhore”, deklaroi Balla.

Opozita i kishte propozuar këto dy pika si mundësi të zvogëlimit për blerjen e votës. Por, mesa duket, palët do ta kenë shumë të vështirë të punojnë së bashku. Nëse edhe Partia Demokratike do të rrëzojë propozimin e mazhorancës për emigrantët, pyetja është: a do të ketë reformë zgjedhore konsensuale, siç ka qenë gjithmonë? Apo të dyja palët do të ecin në drejtime të ndryshme, njëra drejt reformës së njëanshme dhe tjetra drejt bojkotit.

Top Channel