Dibra mori 4.6 mld lekë në korrik e gusht, Shkodra 750 mln lekë

12/09/2016 00:00

Dy nga bashkitë më të mëdha në veri, Shkodra dhe Dibra, nuk janë trajtuar njësoj nga Qeveria. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik. Bashkia e Shkodrës, përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, ka marrë në total rreth 750 milionë lekë të vjetra. Gjithsej, kjo bashki ka hapur tre tendera. Ka marrë nga buxheti i shtetit 638 milionë për rregullimin e bllokut të pallateve në lagjen “Xhabije”. Nga këto, ka përdorur 387 milionë.

Ka marrë nga buxheti i shtetit edhe 50 milionë lekë të vjetra për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese. Tenderi i tretë ka qenë për blerjen e artikujve të ndryshëm ushqimor, ku ka marrë 74 milionë lekë.

Ndërkohë, Bashkia e Dibrës, e cila zhvilloi së fundmi zgjedhjet lokale, ka bërë mbi 30 tenderë, ku nga këta 10 me paratë e buxhetit të shtetit. Fondi i akorduar nga qeveria, përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, është 4.6 miliard lekë. Kështu, qeveria ka financuar 1.7 miliard lekë të vjetra për përmirësimin e infrastrukturës vendore. Fituesi është shpallur në muajin gusht, disa javë para zgjedhjeve.

Bashkia e Dibrës ka akorduar 922 milionë lekë për rinovimin e infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut. Fituesi është shpallur në muajin gusht, ndërsa edhe në këtë rast, paratë kanë ardhur nga buxheti i shtetit.

Gjithashtu, përgjatë dy muajve të fundit, në Dibër kanë shkuar edhe rreth 800 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës së mesme në Maqellarë.

Gjithashtu, buxheti i shtetit ka financuar në Dibër edhe asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi, me fond prej 540 milionë lekësh. Ndërkohë, janë edhe disa tender të tjerë me paratë e buxhetit.

Top Channel