“Ping pong” gjyqësor me Rinasin, të arrestuarit e kompanisë së sigurisë rikthehen në Krujë

05/09/2016 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë vetëm grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit.

Për pesë të arrestuarit, shumica e të cilëve punonjës të shoqërisë së sigurisë në aeroport, ICTC, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë duke ja kthyer për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krujës.

Kjo prokurori shprehet se nuk mund t’i hetojë ish-punonjësit Bledar Blloshmi, Arben Karafili, Vangjel Nikolla, Fadil Jonuzaj dhe Kujtim Picarin për shpërdorim detyre, pasi kjo vepër nuk është kompetncë e saj.

Për këta persona nuk u konkluduan të dhëna që do t’i implikonin në pjesëmarrje të strukturuar kriminal. Por ndërkohë situata e të vetmeve të arrestuar për Rinasin vijon të jetë e paqartë juridikisht dhe duket se gjykatat po lozin ping pong.

Për shkak të një vendimi të Apelit për Krime të Rënda që prishi masën e shkallës së parë për Krimet e Rënda, avokatët ju drejtuan të njëjtës gjykatë për lirimin e menjëhershëm të klientëve, kërkesë që u rrëzua me argumentin se më herët kishte shpallur Gjykata e Krujës një masë arresti me burg.

Aktualisht, dosja mbahet në pritje të Gjykatës së Lartë, e cila do të shprehet përfundimisht nëse ka apo jo ndaj tyre një masë sigurie për shkak të pretendimit të mbrojtjes që këmbëngul se vendimi i Krujës është zhbërë nga Krimet e Rënda.

Ndërkohë gjatë kësaj të hëne avokatët ripërsëritën kërkesën për lirimin e menjëhershëm të klientëve në apel, kërkesë që u rrëzua sërish.

“Do të ndjekim rrugën ligjore sepse Prokuroria këtë veprim duhet ta kryente që në datën 2 gusht”, shprehet avokati Genc Gjokutaj.

Megjithë sekuestrot e dhjetëra kamerave si edhe të dokumentacionit, Prokuroria nuk ka ende të dhëna konkrete se cilët janë njerëzit që me maska grabiten brenda në aeroport shumën e konsiderueshme.

Top Channel