Nis Reforma Zgjedhore, palët: Procesi, me konsensus

07/03/2016 00:00

Mbledhjen e parë të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore e hapi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

“Me konsensus dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse të realizojmë standardet më të larta për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend”, është shprehur Meta.

Socialistët nuk u ndalën në detajet e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, por vetëm në kohën e realizimit të tyre.

“Le të shpresojmë që ky komision të përfundojë përpara se ne të nisemi me pushime. Por gjithsesi, ne sërish kemi kohë deri në fund të vitit për të realizuar me konsensus këtë kod”, deklaroi Bashkim Fino.

Ndërsa demokratët listuan disa problematika, ku pritet të vënë theksin gjatë diskutimeve të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Blerja e votës është – për opozitën, – një çështje që duhet të gjejë zgjidhje përmes ashpërsimit të Kodit Penal.

Presioni ndaj votuesve është një tjetër çështje, që duhet të adresohet në Kodin Zgjedhor, sikundër financimi i partive, tha Oerd Bylykbashi. Por suksesin e kësaj reforme, PD e lidhi me zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, kur përfaqësuesi i saj tha se, nevoja për të fituar zgjedhjet mbushi Parlamentin dhe administratën me njerëz të inkriminuar.

“Ecuria dhe suksesi i këtij procesi do të ndikojë thelbësisht në ecurinë dhe suksesin e kësaj reforme dhe bërjen e zgjedhjeve. Nëse nuk ndodh kjo, zgjedhjet e ardhshme janë në një rrezik të madh”, tha Bylykbashi.

Komisioni i Reformës Zgjedhore është bipartizan, me bashkëdrejtimin e socialistëve dhe demokratëve.

Top Channel