Teknologjia, veçanërisht rrjetet sociale po u vijnë në ndihmë qindra-mijëra emigrantëve jo vetëm për të qëndruar në kontakt me të afërmit e tyre, por edhe për t’u orientuar në rrugët drejt Europës.

Këshillat online nuk mungojnë për të gjithë ata njerëz që ndërmarrin rrugën e rrezikshme për t’u hedhur këtëj Mesdheut dhe listës së tyre u shtohet aplikacioni më i fundit i ndërtuar nga një çift hungarez.

Bëhet fjalë për InfoAid, krijesë e Nina Kov dhe të dashurit të saj. Ajo rrëfen se ideja për të ndërtuar këtë aplikacion i lindi pas informacioneve të pakta që autoritetet hungareze siguronin për emigrantët. Budapesti është pjesë e vendeve që kërkojnë ndjekjen e një linje të ashpër ndaj emigrantëve.

“Në një rast në stacionin hekurudhor të Budapestit, u tregova për aplikacionin një grupi refugjatësh dhe ata mësuan nga ne për herë të parë që Gjermania kishte nisur zbatimin e kontrolleve në kufi sepse aplikacioni ua përktheu në gjuhën e tyre këtë informacion”, thotë Nina Kov.

Aplikacioni është shkarkuar me qindra herë deri më tani. Përveç orientimit dhe mbajtjes në dijeni për politika të vendeve të caktuara mbi fluksin e refugjatëve, ai siguron informacion deri tek kërpudhat helmuese, të cilat në jo pak raste janë konsumuar nga refugjatë që kanë ecur për ditë me radhë pa ushqim.  

Top Channel