Stuhi shiu dhe breshëri përfshijnë Prishtinën

03/08/2015 00:00

Të hënën në mesditë, reshje të mëdha shiu dhe breshëri kanë përmbytur Prishtinën. Për pak minuta të gjitha rrugët janë bllokuar, ndërsa uji ka depërtuar edhe në selinë e Kuvendit të Kosovës.

Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Ibush Kelmendi tha përmes telefonit për Top Channel se shiu i rrëmbyeshëm, me stuhinë që e përcolli ka shkulur çatinë e konviktit numër 1 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Kelmendi tha se, komuna ka angazhuar të gjitha kompanitë e kontraktuara dhe ka mobilizuar edhe zjarrfikësit dhe punonjësit e ujësjellësit për të punuar në largimin e ujit nga rrugët.

Ai shtoi se nuk kanë marrë informata nga qytetarët për dëme të mëdha, apo për shtëpi të përmbytura. Shi dhe breshër të hënën ka pasur edhe në komuna tjera të Kosovës, por nuk ka pasur raportime për pasoja të rënda. 

Top Channel