Këtë muaj, në Kinë mbi 9 milionë nxënës do t’i nënshtrohen provimit të maturës, që u jep të drejtën për të vazhduar studimet universitare, por autoritetet kanë njoftuar se janë vetëm 6.5 milionë vende të lira.

Konkurrenca e ashpër për një karrike në universitet i vë në një presion të madh nxënësit kinezë, të cilët vazhdimisht kërkojnë forma të reja për të kopjuar.
 
Këtë vit, në Kinë do të përdoret droni anti-kopjim, i cili do të fluturojë mbi nxënësit dhe do të monitorojë ata. Po ashtu, ai do të ndërpresë çfarëdo radio sinjali të dyshimtë në një shtrirje prej 500 metra.

Droni nuk do të bëjë asnjë zhurmë, ndërsa kur kap ndonjë sinjal të dyshimtë dërgon një njoftim në tabletin e mësuesit, bashkë me informacionin e detajuar se nga vjen sinjali.

Vitin e kaluar, autoritetet u alarmuan me metodat të cilat kishin përdorur nxënësit për të kopjuar. Një laps në stilin e James Bond, me një kamerë brenda që i bënte foto fletës së provimit dhe i dërgonte ato te dikush jashtë sallës së provimit.

Ky i fundit, pasi i kishte gjetur përgjigjet, ia tregonte nxënësit në provim, përmes kufjeve të cilat nxënësi i kishte vendosur me kohë dhe i kishte lidhur me celular e që nuk dallohen nga mësuesit.

Top Channel