PD nis kamionët me ndihma. Basha: Reagim i dobët i qeverisë

08/02/2015 00:00

E mobilizuar prej ditësh për t’u ardhur në ndihmë familjeve të
përmbytura, Partia Demokratike ka dërguar disa kamionë me gjërat më të
domosdoshme për kapërcimin e situatës së emergjencës te ato familje që
janë prekur më shumë nga përmbytjet.

Që në mëngjes herët, të rinjtë demokratë paketuan ndihmat dhe 86 krevate me dyshekë, qindra pako me ushqime, ujë të pijshëm, detergjentë, veshmbathje, ushqim për gjënë e gjallë dhe 1 milionë e gjysmë lekë vaksina për bagëtinë u dërguan në jugun e përmbytur.

Ndihmat e nisura nga Tirana u shpërndanë në 4 fshatra Hoxharë, Ferras, Boçovë dhe Cerven, ku sipas strukturave të Partisë Demokratike edhe nevoja ishte më e madhe, sepse ka shumë familje që janë ankuar se nuk kanë marrë asgjë nga shteti.

Të vetëdijshëm se ndihmat e tyre nuk e zgjidhin problemin, përfaqësuesit e Partisë Demokratike thonë se pavarësisht parashikimit për ndërprerjen e reshjeve të shiut, në këto zona është e domosdoshme shpallja e gjendjes se emergjencës.

“Qeveria duhet të dërgojë urgjentisht ushqime, të dërgojë veshmbathje, të strehojë këta njerëz që janë në nevojë dhe më pas të mendohet për fazën e dytë. I bëj apel kryeministrit të vihet në krye të shtabit të emergjencës, të shpallë gjendjen e emergjencës civile”, tha Vokshi, deputete e PD.

Partia Demokratike i konsideron familjet e përmbytura si të lëna në mëshirë të fatit dhe sipas kryetarit Lulzim Basha ka një kontrast mes solidarizimit të fortë kombëtar dhe reagimit të dobët qeveritar.

Nëpërmjet një deklarate publike, zoti Basha akuzoi qeverinë se me arrogancë dhe papërgjegjshmëri nuk shpalli gjendjen e emergjencës, duke eliminuar detyrimet shtetërore për angazhimin e të gjitha resurseve dhe të fondeve të veçanta për përballimin e situatës. Sipas kreut të opozitës, kryeministri Rama po sillet si kryetari i një organizate joqeveritare, që punon me fonde dhuratë nga biznesmenët.

Lulzim Basha thotë se kjo është një situatë që nuk zgjidhet vetëm me ndihma dhe solidaritet, por kërkon angazhimin e plotë të qeverisë, rialokim të buxhetit për të çuar fondet e nevojshme për zonat e përmbytura.

Top Channel