Një sherr brenda familjes ka përfunduar me tre të plagosur me armë zjarri, ku një nga të plagosurit është dhe një vajzë 7 vjeçe.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në orët e darkës të së martës në zonën periferike të “Livadheve” në qytetin e Shkodrës.
Të plagosurit janë shtetasit Vatë Guri, bashkëshortja e tij Gjyste Guri dhe mbesa e tyre 7 vjeçe. Ndërkohë autori i dyshuar i ngjarjes, sipas policisë është shtetasi Mikel Thani që ishte i fejuar me mbesën e shtetasit Vatë Guri.
Nga dëshmitë që ka arritur të mbledhë policia në vendin e ngjarjes dyshohet se shkak i kësaj ngjarje është bërë një debat në lidhje me kërkesën për prishjen e miqësisë mes autorit dhe familjes Guri.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të familjes Guri dhe tre të plagosurit kanë marrë plagë serioze, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë forca të shumta të policisë dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë kanë kryer disa aksione në krehjen e gjithë zonës me qëllim ndalimin e autori të kësaj ngjarje, i cili tashmë është shpallur person në kërkim nga policia .
Top Channel