KLD çon qeverinë në Kushtetuese

12/09/2014 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur njëzëri t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për dy ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, atë “për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe ligjin “për Shkollën e Magjistraturës”.

Në mbledhjen e drejtuar nga Zv.Kryetari, Elvis Cefa dhe në mungesë të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, i cili me anë të një shkrese kishte njoftuar pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm për shkak të një vizite në Greqi, anëtarët e KLD-së  diskutuan mbi dy ligjet.

“Gjatë diskutimeve të gjithë anëtarët e pranishëm evidentuan probleme të theksuara kushtetutshmërie në këto dy ligje. Në diskutimet e tyre anëtarët e Këshillit theksuan njëzëri se ligjet cenojnë kompetencat thelbësore të KLD-së. Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit vendosën që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ato pjesë të ligjit që cenojnë drejtpërdrejtë funksionimin dhe kompetencat e KLD-së dhe parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së.

Ndërsa burime brenda mbledhjes thanë se kundër ka votuar Sokol Como dhe se edhe dy anëtarët e KLD-së përfaqësues të Kuvendit mbajtën qëndrim kundër këtij institucioni.

Top Channel