Prokuroria kerkon audituesit e huaj

11/09/2014 00:00

Ndërsa këtë të enjte pritej që prokuroria të merrte në pyetje në ambjentet e burgut 313 ish-inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, grupi i hetimit i ka hedhur sytë në një tjetër çështje që zgjeron pistat e saj të dyshimit mbi skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve.

Prokuroria i ka dërguar kompanisë ndërkombëtare “Grant Thorton” kërkesën për t’i dorëzuar hetimit të gjithë dokumentacionin dhe pasqyrat financiare që disponon mbi çertifikimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013.

Jo vetëm kaq, por hetuesit kërkojnë materialet shkresore se si u lidh kontrata mes Bankës së Shqipërisë dhe kompanise “Grant Thornton”, e cila njihet si audituesi ndërkombëtar i gjashtë në botë.

Prokuroria thotë se kjo kompani, me seli në rrugën “Sami Frashëri”, duhej të bënte auditimin e duhej të garantonte llogaritë financiare dhe bilancin së bashku me rezervat dhe stokun.

E ndërsa pritet që prokurorët të shkojnë për të sekuestruar dokumentacionin në zyrat e kësaj kompanie, ajo që dihet është se më herët Top Channel ka kontaktuar në muajin gusht me “Grant Thornton”.

Kompania u shpreh në atë kohë se ajo është përzgjedhur në vitin 2011 përmes një tenderi publik të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe se raportet janë pranuar plotësish nga banka përsa i përket cilësisë dhe shërbimit të ofruar.

Në vijim të veprimeve hetimore, burimet thanë se u është dërguar fletëthirrje për t’u marrë në pyetje edhe tre audituesve shqiptarë: Julinda Sokoli, Ilir Osmani dhe Ledia Bregu, të cilët pritet të merren në pyetje në ditët në vijim.

Top Channel