Blloku opozitar refuzon Brovinën

03/09/2014 00:00

Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj i thanë jo takimit që deputetja Flora Brovina kishte kërkuar të mbahej të enjten. Liderët e bllokut LDK-AAK-Nisma do ta takojnë deputeten e PDK-së vetëm në seancën konstituitive të Kuvendit të Kosovës.

Treshja deklaroi se PDK nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ndaj ka izoluar deputeten Brovina në kryerjen e detyrave kushtetuese. Ndërkohë, nuk munguan akuzat për bllokimin e krijimit të institcioneve.

“Ne do t’i përgjigjemi vetëm ftesës për pjesëmarrje në seancë. Kryesuesja nuk ka asnjë mandat tjetër, sepse nuk merret me koordinime politike. Ajo mund të kryesojë vetëm mbledhjen e Kuvendit dhe ne do të shkojmë vetëm atje”, deklaroi Mustafa.

Edhe lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim me motivacionin se Brovina nuk është kryetare e Kuvendit dhe se kjo forcë politike nuk negocion me PDK-në.

Por nëse Flora Brovina nuk e thërret mbajtjen e seancës, atëherë liderët e bllokut thonë se deputetët duhet të organizohen vetë për krijimin e institucioneve. Në këtë pikë, blloku bazohet në nenin 66 të Kushtetutës dhe pikën 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetutese.

“Ata që thonë se i kanë numrat nuk kanë pse bëjnë vonesa. Të bëjmë seancën dhe të shohim se kush i ka numrat për të ngritur institucionet. Ne presim që kjo të ndodhë, por në rast të kundërt deputetët duhet të luajnë rolin e tyre aktiv për t’i formuar institucionet. Ne jemi të gatshëm të futemi sa më shpejt në seancë”, deklaroi Fatmir Limaj.

Takimi i bllokut këtë të mërkurë u mbajt pasi kreu i LDK-së takoi fillimisht kryetarët e degëve të partisë së tij. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve Mustafa tha se gëzon besimin e organeve të partisë.

“Asnjë nuk sheh arsye pse projektet të mos realizohen apo të bllokohen nga PDK. Ato do të na përkrahin maksimalisht dhe orientimi ynë është që institucionet të krijohen sa më shpejt. Kjo është një alternativë që po ofrojmë ne”, tha Mustafa.

Sa për zgjidhjen e ngërçit politik nga ndërkombëtarët, Mustafa shtoi se është e rëndësishme që forcat politike të ndërgjegjësohen dhe paralelisht të veprojnë në vartësi të fuqisë së votës në Kuvend.

Top Channel