Debate për numrin e studentëve të rinj

16/08/2014 00:00

Akuzave të opozitës se Ministria e Arsimit po mbyll dyert e universiteteve, zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku i është përgjigjur me argumenta.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se këtë vit vetëm 19 mijë e 949 e maturantëve që kanë plotësuar formularin A1 e kishin mesateren mbi notën 6, ndërkohë që kuotat e miratura nga qeveria janë 19 mijë e 726.

“Nga totali prej 27 mijë e 845 studentëve që morën pjesë me formularin A1, me notë mbi 6 kishte 19 mijë e 949 studentë. Ne akorduam në total 19 mijë e 996 kuota, pra krijuam vend për thuajse çdo student që e kishte notën mbi 6”, deklaron Mazniku.

Studimet e ministrisë kanë treguar se vitin e shkuar qeveria ka miratuar rreth 5 mijë kuota më tepër nga sa janë regjistruar realisht në universitete studentë dhe një pjesë e madhe e të rinjve që kanë përfunduar studimet janë të papunë, pasi diploma e tyre nuk i përgjigjet aspak tregut të punës që ka nevojë për zanate.

“Çfarë u dha me këto kuota? A kanë këta të rinj, që iu dha mundësia duke shqyer dyert e universiteteve 5 apo 6 vjet më parë, sot më shumë mundësi punësimi? A e çojnë dot bukën në tryezën e famljeve të tyre? Apo janë një trupë që u shtohet të papunëve me diplomë? Po të kishin marrë një zanat ata sot do të ishin të punësuar apo punësues të njerëzve të tjerë”, nënvizon Mazniku.

Tarifat këtë vit janë rritur rreth 7 mijë lekë dhe këto para do të përdoren për rritjen e cilësisë në universitete.

Debati për universitetet private

Pollo: Qeveria mban sekret raportin që çoi në mbylljen e 39% të tyre


Ndërkohë, deputeti Genc Pollo ka akuzuar sërish qeverinë se mban të fshehtë raportin që çoi në mbylljen e një pjese dërrmuese të universiteteve private në vend.

Në një deklaratë për shtyp, ish-ministri i Arsimit ka thënë se fshehja e këtij raporti është pasojë e aferave korruptive të qeverisë në sektorin e arsimit privat.

“Janë mbyllur mbi 39 për qind e universiteteve private dhe janë lënë 61 për qind të vazhdojnë punën. Në universitetet private të mbyllura ishin 40 për qind e studentëve, ndërsa në ato që vazhdojnë punën janë 60 për qind. Ta zëmë se nëse nga mbyllja e universiteteve nuk do kishte probleme me kryeinspektoren, buxhetin, aferat korruptive, e të tjera, sërish qeveria vazhdon të mbajë të fshehur raportin për mbylljen e çdo universiteti”, deklaroi Pollo.

Top Channel