Kundër ndryshimeve në ligjin për KLD

16/07/2014 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë jep mendimin kundër për projektligjin për
organizimin dhe funksionimin e KLD-së duke kërkuar qeë ky proces të
ndërpritet pasi mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme.

Nëpërmjet nje letre të dërguar kryetarit të Komisionit Parlamentar për Cështjet Ligjore, zotit Fatmir Xhafaj dhe ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, anëtarët e Këshillit të  Lartë i Drejtësisë shprehen se e meta kryesore e ndryshimeve në ligjin e KLD-së është fakti se ai ka probleme të rënda kushtetuese, është në konflikt me disa ligje që rregullojnë sistemin gjyqësor dhe heq sovranitetin e vetë KLD-së duke cënuar sigurinë juridike dhe duke minuar sistemin e drejteësisë.

Për Këshillin, përbën shqetësim procedura e ndjekur e cila e vendos KLD-në në trysni dhe nuk zgjidh problemin, por zhyt sistemin në trysni. KLD-ja thotë se me këto ndryshime ligjore i hiqet e drejta të verifikojë mandatin e anëtarit të Këshillit të zgjedhur rishtas, duke qenë se verifikimi i një anëtari të ri është një e drejtë kryesore, e parë në këndvështrimin e pavarësisë.

Heqja e kësaj të drejte për KLD-në krijon konflikt të pastër kompetencash midis parlamentit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Konferencën Gjyqësore. Sipas shumicës së anëtarëve të saj, përgjithësisht ky projektligj nuk sjell asgjë të re në punën e Këshillit, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave.

Nuk janë respektuar, thonë anëtarët, rregullat e parimet bazë siç mund të jetë konsultimi paraprak me këtë institucion dhe në dijeninë tonë, thuhet më tej, nuk ka patur kohë fizike që të bëhet me asnjë nga palët realisht të interesuara. Si shqetësim, anëtarët parashtrojnë se për këto ndërhyrje nuk ka asnjë rekomandim të organizmave që monitorojnë sistemin e drejtësisë, aq më tepër theksohet në letër që nuk janë marrë parasysh ndërhyrjet e kërkuara më herët nga partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë pikë evidentohet rekomandimi i kahershëm për rregullimin me ligj të kompetencave të dy inspektoriateve për liberalizimin e ekskluzivitetit të ministrit për kërkesat për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe për krijimin e  komisioneve të përhershme në Këshill.

Në letër thuhet gjithashtu se KLD-ja mbetet e hapur për bashkëpunim në reformën në drejtësi dhe se një grup pune dy vjet më parë ka hartuar një draft për ndryshime duke propozuar ndryshimet në lidhje me pozicionin e ministrit në procedimin e gjyqtarëve, përcaktimi i rolit të anëtarëve të KLD-së, parashikimi i mënyrës së shkarkimit të gjyqtarit, por për fat të keq, thuhet më tej, asnjë nga këto propozime nuk është marrë në konsideratë.

Për mendimin tonë, mbyllet letra, në mënyrën më emergjente duhet të stopohet ritmi i këtij procesi i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme.

Nishani: Rama, reformë për të komanduar drejtësinë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është përgjigjur përmes një
reagimi të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni akuzave të
kryeministrit Edi Rama, i cili dy ditë më parë shprehu kritika për
pozicionin dhe punën e kreut të shtetit në lidhje me sistemin e
drejtësisë.

Sipas presidentit, pavarësia ndaj institucioneve është baza mbi
të cilën duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë dhe çdo mendësi
tjetër do të shkelte Kushtetutën e vendit. Shqipëria, siç shkruhet më
tej në njoftim, është ndarë nga mendësi të tilla.

Presidenti thekson se qeveria dhe kryeministri në vazhdim po sulmojnë
këtë institucion duke përgatitur edhe mjaft projektligje dhe duke votuar
ligje që sipas tij cënojnë kompetencat e kreut të shtetit. Në
përfundim, zoti Nishani thekson se mesa duket, qeveria dëshiron një
sistem drejtësie të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri.

PD: KE të ndalojë kapjen politike të KLD-së


Eduard Halimi denoncoi paketën e ligjeve për drejtësinë që mazhoranca kërkon të vendosë pasi sipas tij, dyshja Rama-Meta po përpiqet të vendosë oligarkinë në vend.

“Edi Rama paralajmëron instalimin zyrtar të oligarkisë së tij me paketën për drejtësinë që paraqet në Komisionin e Ligjeve. Me anë të kësaj pakete, Edi Rama synon të kapë e të kontrollojë politikisht çdo institucion të pavarur në vend”, u shpreh Halimi.

Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, jashtë programit dhe kalendarit të punimeve, pa diskutuar me opozitën e vendit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, Edi Rama dhe Ilir Meta kërkojnë të miratojnë një paketë ligjesh për Drejtesinë”, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel