Holanda kalon me vuajtje Kosta Rikën

06/07/2014 00:00

Argjentinë-Holandë do të jetë gjysmëfinalja e dytë e Botërorit “Brazil 2014”.

Ndërkohë që Messi dhe shokët e tij siguruan me lehtësi biletën mes 4 më të mirave të botës falës fitores 1-0 ndaj Belgjikës, përfaqësuesja e drejtuar nga Luis Van Gal mposhti 4-3 me 11-metërsha Kosta Rikën falë 2 pritjeve të portierit Tim Krul, i cili u fut në fushë nga trajneri vetëm për gjuatjet e 11-metërshave.

U mendua se Holanda do e kishte të lehtë të mposhte modestët e Kosta Rikës, të cilët kishin hyrë në histori me ardhjen e tyre në çerekfinale, por  portokallinjtë vuajtën shumë për të mposhtur portierin Navas, i cili nuk lejoi për asnjë moment që holandezët dhe trajneri Van Gaal t’i gëzoheshin golit.

Madje edhe në 2 gjuatjet e Shnajder që Navas nuk mundi të bënte asgjë, ishte shtylla që i erdhi në ndihmë duke mos lejuar që topi të përfundonte në rrjetë.

1 minutë para përfundimit të 120 minutave lojë, trajneri Van Gaal futi në fushë portierin Tim Krul, i cili u shndërrua në heroin e Holandës. Portieri i Njukasëllit ia shpërbleu duke pritur 2 gjuatje të kostarikanëve dhe duke i dhënë njëkohësisht dhe kualifikimin mes 4 skuadrave më të mira të globit.  

Top Channel