Punësimi i personave me aftësi të kufizuara

04/07/2014 00:00

Punësimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet ende një sfidë për qeverinë shqiptare. Në administratën shtetërore janë të punësuar vetëm 0.15% nga kjo kategori, ndërkohë që sipas ligjit, 1 në 25-30 persona i punësuar duhet të jetë me aftësi të kufizuara.

“Punësimi është një nga sfidat më të mëdha për ne. Për personat me aftësi të kufizuara synimi është gjithëpërfshirja e tyre. Do të na duhet shumë punë për të arritur këtë qëllim”, deklaroi Sinan Tafaj, president i Këshillt të persoanve me aftësi të kufizuara.

Kreu i Këshillit të Europës në Shqipëri, Marco Leideker tha se ekzistojnë dy instrumente ligjore të detyrueshme, të cilat i ka firmosur edhe Shqipëria, për marrjen e masave anti-diskriminim si Konventa europiane për të drejtat e njeriut dhe Karta Sociale, të cilat për hir të së vërtetës nuk janë përodur. “Në rast të shkeljes së të drejtave tuaja, ju mund t’i drejtoheni gjykatës së Strazburgut”, deklaroi Leideker.

Zv/ministrja e Mirëqënies Sociale, Bardhylka Kospiri tha se qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm nëpërmjet subvencionimit të kompanive që marrin në punë persona me aftësi të kufizuara.

“Ne po punojmë për këta persona dhe po marrim masa pozitive. Nëse shteti për personat normalë subvencionon punësimin, për personat me aftësi të kufizuara shteti siguron rrogat për 6 muajt e parë për këtë kategori. Kjo, me masë nga 100 në 200 mijë lekë, për ta përshtatur punën e ofruar nga punëdhënësi për personat me aftësi të kufizuara”, saktësoi Kospiri.

Akademia e studimeve politike organizoi një tryezë të rrumbullakët në lidhje me fuqizimin e politikave të puënsimit të personave me aftësi të kufizuara në fokus të politikave kombëtare dhe në përputhje me standardet europiane.

Top Channel