Shëndetësi falas për femrat e trafikuara

29/06/2014 00:00

Gratë dhe vajzat e trafikuara do të marrin shërbim shëndetësor falas. Fondi i sigurimeve shëndetësore  do të mbulojë shpenzimet për barna, vizita, ekzaminime si dhe trajtime mjekësore në spitale publike dhe private të kontraktuara nga Fondi.

“Të gjitha shërbimet shëndetësore për gratë dhe vajzat e trafikuara do të merren falas. Fondi përgatiti të gjitha ndryshimet ligjore të nevojshme për mbështetjen e kësaj kategorie e cila do të jetë edhe kategori më vete në kartën e shëndetit dhe do të mundësohet duke filluar menjëherë shërbimi shëndetësor i kësaj kategorie në nevojë falas”, thotë Astrit Beci, Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Përllogariten 200 gra dhe vajza të cilat do të përfitojnë shërbim shëndetësor falas si dhe do të pajisen me kartën e shëndetit pa derdhur asnjë kontribut. Drejtori i Fondit, Astrit Beci sqaron se kjo katëgori do vazhdojë ta përfitojë shërbimin shëndetësor falas edhe pasi të kenë dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

“Nëse deri më tani përfitonin në mënyrë indirekte nga skema vetëm ato që ishin të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, tani edhe ato që dalin nga skema e ndihmës ekonomike, apo edhe të tjera që nuk e kanë përfituar këtë ndihmë ekonomike do të përfitojnë falas të gjitha shërbimet e tyre shëndetësore. Numri i këtyre personave sot është 100, por duke patur parasysh që faza e riintegrimit dhe rehabilitimit të tyre zgjat 6-12 muaj, shpesh edhe 2 vite, numri në total i përfituesve në këtë kategori është 200 persona”, sqaron Beci.

Efektet ekonomike që lidhen me mbulimin shëndetësore të kesaj kategorie do të përballohen brenda buxhetit të planifikuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Top Channel