Digjet hashashi në Lazarat

17/06/2014 00:00

Pas dy ditësh Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA kanë vënë në kontroll lagjen “Mahmutaj”, që ndodhet në anën jugore të Lazaratit. Nga kontrolli i mbi 50 banesave u gjet një sasi e konsiderueshme hashashi që më pas u asgjesua nga forcat e policisë, të cilat i vunë zjarrin.

Sipas raporit zyrtar nga Polcia e Shtetit, në zonën e kontrolluar janë asgjesuar 60 mijë rrënjë bimë narkotike në formë fidanësh apo bimë të rritura në oborret e banesave të mbetura tashmë bosh.

Po ashtu, janë gjetur 10 tonë kanabis stativa i amabalazhuar në thasë. Gajtë aksionit janë zbuluar edhe dy laboratorë për presimin dhe ambalzhimin e hashashit në brendësi të banesave të dy peronazheve të njohura të grupit të trafikut në Lazarat.

Ndërkohë, policia njoftoi se janë arrestuar 6 persona të akuzuar për sulmin ndaj gazetarëve të televizionit A1 Report. Ata janë: Matjas Boçia, vjeç 23; Florian Shurdhi, vjeç 29; Juxhin Boçia, vjeç 19; Xhevahir Doçi, vjeç 29; Ali Basha, vjeç 46 dhe Emiljano Aliko, vjeç 31.

Këta shtetas janë paraqitur në komisariatin e policisë Gjirokastër gjatë pasdites së të hënës. Nga verifikimi i deklarimeve të tyre në polici, ku janë vërejtur mospërputhje, dhe hetimeve të kryera nga policia ka rezultuar se këta shtetas janë në cilësinë e të dyshuarit dhe ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancë.

Në bashkëpunim me persona të tjerë ata, janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor. Ndërkohë, një efektiv i FNSH-së së Shkodrës u plagos mëngjesin e së hënës nga plumbat që vinin nga Lazarati.

Gjatë pasdites policia njoftoi për dy të plagosur të tjerë. Një 19-vjeçar nga Ura Vajgurore që ishte bari në këtë zonë dhe që ka marrë plagë në këmbë dhe dorë, si edhe një 33-vjeçar nga Pogradeci, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Në aksionin e saj policia zbuloi një laborator të prodhimit të drogës, si edhe kontrolloi 20 shtëpi. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të konsiderueshme bimësh të kultivuara, si dhe municione në sasi të mëdha. Gjatë paradites së të martës, në Gjirokastër ishte edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptoni të gjithë se, ora kur lidhjet e botës së krimit në Lazarat me Parlamentin dhe politikën, me ata që deri dje i shfrytëzonin këto lidhje, kanë mbaruar një herë e mirë. Kjo që po shihni sot është shembulli më i mirë i vendosmërisë sonë për të vendosur shtetin ligjor në çdo cep të Shqipërisë. Ne jemi shumë të vendosur të shpëtojmë qytetarët e ndershëm të Lazaratit nga ata kriminelë që i kanë marrë peng”, u shpreh Tahiri.

Vetëdorëzohet Gate Mahmutaj

Në orët e mbrëmjes së të martës është dorëzuar në postobllokun më të afërt të policisë shtetasi Gate Mahmutaj. Ai ishte një ndër më të kërkuarit nga policia në këtë aksion dhe personi të cili iu gjet një sasi kolosale droge në pronat e tij.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ai është bindur të dorëzohet pas negociatave disaorëshe me policinë.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke njoftuar arrestimin e tij. Në postimin e tij, Tahiri është shprehur: “Po i vjen radha të gjithëve. Jam krenar për Policinë e Shtetit”.

Ndërkohë, gjatë pasdites u arrestua edhe shtetasi Tonin Mehmet Shehaj, 31 vjeç nga Mallakastra, që ishte dënuar me 7 vite burgim për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.

Ai tentoi të dilte nga fshati Lazarat duke përdorur një identitet të rremë, por gjatë verifikimit në postobllokun e ngritur në hyrje të fshatit u prangos.

Mahmutaj para prangosjes: Gati të dorëzohem.

Më herët gazetarja e TCH, Kristina Fidhi ishte në zonën e fshatit Lazarat që ende nuk ishte nën kontrollin e policisë. Ajo ishte në shtëpinë e Gate Mahmutaj dhe ky i fundit deklaroi për të se ishte gati t’i dorëzohej policisë. Ai bëri edhe thirrje që të mos qëllohej më në drejtim të fshatit.

“Dua t’i bëj thirrje bashkëfshatarëve të mi, të mos qëllojnë policinë, të ulin armët dhe të rrinë të qetë, të lënë policinë e shtetit të bëjë detyrën dhe të shkoj edhe unë para drejtësisë, pasi nuk kam mundësi për momentin të dorëzohem”, tha Mahmutaj.

I pyetur nga TCH nëse ai nënkuptonte me këto fjalë dëshirën për t’u dorëzuar dhe nëse kishte diçka që e pengonte për ta bërë këtë gjë, ai u përgjigj:

“Po ja armët janë sheshit, bashkëfshatarët gjuajnë, policia është poshtë me snajperë etj, ndërkohë që unë nuk dua të ketë përplasje, as nga pala e shtetit dhe as nga ajo e fshatit. Nuk dua të ketë humbje jetësh, apo plagosje. Madje sot kam folur me një njeriun tim që të më sjellë një avokat dhe të paraqitem para drejtësisë dhe të jem të paktën i garantuar. Pasi sa të dalësh ka postoblloqe nga shteti dhe kam frikë se më keqtrajtojnë, gjithçka është e mundshme”, deklaroi Mahmutaj.

MB: Shmangni Lazaratin

Ndërkohë, Ministria e Brendshme permes nje njoftimi per shtyp u ben thirrje banoreve te Lazaratit qe per arsye te sigurise se jetes se tyre te mos dalin nga banesat, ndërsa qytetarëve të tjerë të shmangin fshatin.

“Te gjithe qytetaret e tjere, duhet te shmangin plotesisht hyrjen per ne fshatin Lazarat deri ne nje njoftim te dyte zyrtar te policise. Banoret e zonave perreth fshatit Lazarat keshillohen te bejne kujdes me levizjen jashte banesave te tyre, deri ne perfundim te ketij operacioni policor. Sherbimet e Policise se Shtetit jane ne gatishmeri te plote per t’u ardhur ne ndihme ne çdo kohe, te gjithe qytetareve qe do te kene nevoje”, thuhet ne njoftimin per shtyp.

Policia: Dorëzoni armët

Gjatë paradites së të martës, me anë të një njoftimi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se uniformat blu janë të vendosura në arritjen e objektivit për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që gjatë këtyre ditëve kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat në terren, duke sjellë për pasojë dhe plagosjen e një punonjësi policie në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat.

“Polica e Shtetit u bën thirrje personave të armatosur që të dorëzojnë armët e të vihen në dispozicion të policisë, pasi policia është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj dhe nuk do të mund ti shpëtojnë përballjes me forcën e ligjit”, thuhet në një komunikatë.

“Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”, paralajmërohet në të.

Njëherazi Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të bashkëpunojnë me të dhe të bëjnë të mundur identifikimin e elementëve kriminalë që janë duke u konfrontuar me armë me policinë.

“Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë dhe të vendosur për të përmbushur me sukses operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke kontribuar në sigurinë e banorëve të Lazaratit dhe të qytetarëve”, përfundon njoftimi.

Top Channel