PD: Të inkriminuar në radhët e policisë

15/06/2014 00:00

Opozita vazhdon të akuzojë qeverinë se ka përfshirë në administratë njerëz me precedentë penalë.

Zëdhënësja e partisë demokratike deklaroi sot se, një nga bashkëpunëtorët e stafit të Drejtorit të Rendit në Ministrinë e Brendshme është një person i dënuar me vendim gjykate, si grosist i shpërndarjes së drogës në Tiranë.

“Administrata dhe Policia e Shtetit janë bërë streha e sigurt e personave me precedent penal dhe e personave të dënuar për trafik droge. Binak Dobrushi, i arrestuar në dhjetorin e vitit 2008 me rreth 2 kilogramë heroinë, i konsideruar si grosisti i rrjetit të drogës në Tiranë, drogë që përfundonte edhe në shkollat e fëmijëve tanë, i dënuar nga gjykata, është sot një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendshme. Kthimi i Shqipërisë në një laborator të madh droge, nuk është një zhvillim rastësor. Kjo ndodh, sepse në administratë, në poste kyçe, janë vendosur persona të arrestuar e të dënuar në të kaluarën për trafik droge”, tha Laura Vorpsi.

Reagon MB: Dobrushi, jo më në marrëdhënie pune

Menjëherë pas deklaratës së zëdhënëses së PD-së, ka reaguar dhe Ministria e Brendshme. Me anë të një njoftimi për shtyp ajo sqaron se Binak Dobrushi prej datës 2 qershor 2014 nuk është më në marrëdhënie pune me këtë institucion. “Binak Dobrushi, me detyrë shofer-mekanik në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Automjeteve të MPB-së, është larguar me motivacionin “Papërshtatshmëri për të punuar në organet e MPB-së”, thuhet ne reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Dobrusha, pjesë e rrethit shoqëror të Bashës dhe Fazlliç

Pas kërkimeve të bëra rezulton se shtetasi Binak Dobrusha ka qenë anëtar i shtabit elektoral të Lulzim Bashës në njësinë bashkiake numër 7 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Gjithashtu rezulton se Dobrusha është pjesë e rrethit shoqëror të Lulzim Bashës dhe Damir Fazlliç. 

Top Channel