Kokaina, arrest me burg për kolumbianin

14/06/2014 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi mesditën e së shtunës masën e sigurisë arrest me burg për kolumbianin me pasaportë spanjolle Ceza Triana.

Ky i fundit u arrestua në datën 9 qershor në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, dy ditë pasi autoritetet malazeze kishin sekuestruar në portin e Tivarit 250 kilogramë kokainë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se kolumbiani ishte ndërmjetës në shitjen e kokainës së kapur dhe për këtë rol ai do të paguhej me 200 mijë euro. Sipas burimeve policore, Triana e ka pranuar këtë rol, ndërsa ka dëshmuar se kishte disa kontakte në Shqipëri, pa përmendur emra konkretë, me qëllim realizmin e shitjes së kokainës. Në bazë të këtyre hetimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj kolumbianit Triana.

Mësohet se ky i fundit ka kërkuar të merret në mbrojtje si bashkëpunëntor i drejtësisë kundrejt të dhënave për zbulimin e grupit që organizoi trafikun e kokainës. Por, nuk dihet nëse të dhënat e dëshmuara nga Triana janë të vlefshme për të zbuluar organizatorët e vërtetë të këtij trafiku.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Spanjolle në Tiranë, pasi Triana është shtetas spanjoll.

Top Channel