Reformimi i arsimit të lartë, shtyhet aprovimi

30/05/2014 00:00

Komisioni për reformimin e arsimit të lartë, pas qëndrimit kundër dhe propozimeve të universiteteve publike dhe private në të gjithë vendin pritet të dalë me një draft të dytë.

Edhe pse ishte menduar që ky projektligj të kalonte në muajin qershor në Parlament, kryeministri Edi Rama tha se do t’i jepet më shumë kohë ekspertëve të komisionit.

“E pamë të udhës t’i japim vetes më shumë kohë sepse drafti ka ngjallur shumë interes dhe ka ende shumë kontribute që mund të merren. Kështu që verën do ta shfrytëzojmë për të formësuar një ligj që nuk do të jetë thjesht një tekst i zbatueshëm nga ata të cilë ai ligj bëhet, njerëzit e sistemit”, deklaroi Rama.

Senati i Universitetit të Tiranës, përmes një deklarate ka mbështetur kryerjen e një reforme të plotë në strukturë, kurrikul dhe financim, por ka kërkuar që në themel të ligjit të ri të arsimit të lartë të jenë propozimet e raportit të shoqatës europiane të ligjit për arsimin e lartë dhe drafti i dytë të diskutohet sërish me grupet e interesit, para se të kalojë në Parlament.

Senati ka kërkuar që të ruhet autonomia e universiteteve në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Drafti për reformën në arsimin e lartë edhe pse ka pasur kontenstime nga shumë pedagogë pritet t’i japë një tjetër dimension universiteteve shqiptare. Në themel të saj, sipas ekspertëve që po e hartojnë, është atuonomia në vendimmarrje por edhe në financim.

Top Channel