Bllokimi i galerive ilegale

28/05/2014 00:00

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka propozuar disa ndryshime në “ligjin për sektorin minerar”, me qëllim luftën kundër informalitetit dhe përmirësimin e menaxhimit të këtij sektori.

“Një pjesë e gangrenës së Bulqizës lidhet me këtë fenomen, me vendime gjykatash që kanë dhënë detyrime për servityt, por njëkohësisht janë kthyer edhe në hapësira për të abuzuar, ku asnjë s’mban më përgjegjësi dhe do të kemi rreziqe të mëdha në atë zonë. Kjo ka nevojë për një rregullim tepër të fortë dhe propozimi ynë është që ky servityt nëntokësor të ndalohet”, u shpreh Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë rregullimin e marrëdhënieve të nënkontraktimit mes zotëruesve të lejes dhe subjekteve të treta, që në dispozitat ligjore aktuale nuk referojnë parashikime konkrete.

Ministri Gjiknuri tha se, në anën tjetër, qeveria ka alokuar një fond të posaçëm, që do të përdoret për mbylljen e minierave të braktisura, të cilat shpesh kanë marrë jetë njerëzish.

“Shpesh herë ka ndodhur në Shqipëri që mjedisi është anashkaluar fare dhe është parë vetëm aspekti i shfrytëzimit minerar, por asgjë nuk është bërë për rehabilitimin e këtij mjedisi dhe, shpesh herë hasim probleme të madh me minierat e braktisura, me miniera të vjetra që kanë mbaruar punë, që janë kthyer në një burim rreziku për jetë njerëzish. Realisht, ky është një fenomen që kjo qeveri po e adreson dhe, për herë të parë, ne këtë vit kemi alokuar fonde dhe po fillojmë mbylljen e një pjese minierash të vjetra e të braktisura”, theksoi ministri Damian Gjiknuri.

Top Channel