Investitorët, shpresë dhe ngurrim

29/04/2014 00:00

Nga 39 kompani që i janë përgjigjur anketës së Shoqatës Gjermane të
Industrisë dhe Tregtisë, 86 % që operojnë aktualisht në vendin tonë do
të investonin sërish në Shqipëri.

Vlerësimi i situatës aktuale ekonomike nuk ka ndryshim të dukshëm krahasuar me rezultatet e një viti më parë por 13 % e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht situatën ekonomike, 1 % më shumë se një vit më parë. Ndërkaq 26 % e këtyre kompanive, mendojnë se situata ekonomike është deri diku e kënaqshme kurse 62 % e tyre e vlerësojnë negative.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hofman renditi disa nga faktorët që ndikojnë në vendimin e kompanive për të investuar apo jo në vendin tonë.

“Dëshiroj të përmend disa fakte, në gjykimin tim, të rëndësishme. Sipërmarrjet gjermano-shqiptare e vlerësojnë gjendjen e ekonomisë shqiptare deri diku si më të mirë se ajo e vitit 2013. Kriteret që kanë të bëjnë me cilësinë e fuqisë punëtore vlerësohen pozitivisht në këndvështrime të ndryshme. Por edhe një herë duket qartazi se korrupsioni, kriminaliteti dhe mungesa e sigurisë ligjore, konsiderohen si problemet më emergjente për sipërmarrjet”, thotë Hofman.

Vlerësimin më të lartë në faktorët që merren parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, sipas anketës e merr kostoja e punës.

“Fakti që kostoja e punës është në vend të parë është një favor për të joshur më pas investimet me kosto të ulët. Ndërsa po të shohim vlerësimin e burimeve njerëzore, një nga elementet ku duhet të punohet më tepër është kualifikimi”, u shpreh Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e DIHA-s.

Në mbi 1400 kompani pjesëmarrëse në anketimin e përgjithshëm sa i përket rajonit të europës Qëndrore dhe Juglindore, Shqipëria renditet në katër vendet më pak tërheqëse për të investuar sëbashku me Kosovën, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Kjo edhe për shkak se vazhdon të mbetet ende një vend i panjohur për investitorët. Por ambasadori Hofman vlerësoi se vizita e kryeministrit Rama në Berlin do të ndikojë pozitivisht në këtë aspekt.

“Mendoj se pas kësaj vizite ka një atmosferë më pozitive se deri më tani dhe do të thoja që do të japë kontributin e vet. Për këtë jam i bindur”, u shpreh Hofman. 

Top Channel