Topi: Busti ra, diktatorët jo…

21/02/2014 00:00

Fryma e Re Demokratike zgjodhi 20 Shkurtin, për të publikuar numrin e parë të gazetës së saj, që mban të njëjtin emër. Kryetari i kësaj partie, Bamir Topi, deklaroi se në Shqipëri janë rrëzuar bustet, por jo diktatorët. Ish-presidenti theksoi se kjo gazetë e përjavshme do të ketë betejën e saj me të vërtetën.

“Disa buste janë rrëzuar, por në fakt fryma e dominimit me çdo kusht, për gjithçka e mbi këdo, me të njëjtat simptoma të demostruara në kohën e monizmit, ende i shohim sot, madje me tepricë. Nuk keni nevojë të shikoni askund tjetër, mjafton të hidhni sytë në Parlament se ç’ndodh atje. Të gjithë kishin shpresuar se me kalimin e viteve, në Parlament do të futeshin njerëz, të cilët së paku do të demostronin mirësjellje. Ka ndodhur e kundërta. Sjellja më vulgare e rrugës ka hyrë në Parlament. Nuk e kanë fajin ata që janë deputetë, kurrsesi. Fajin e kanë kryetarët e partive politike që, pas 20 vitesh nga momenti i rrëzimit të bustit, ndërtuan një Kushtetutë të modifikuar, për të futur në Parlament pikërisht ata, që do t’i shërbenin në mënyrë të verbër njerëzve, që ndoshta ndjehen jo-diktatorë, por në fakt kanë një lloj predispozicioni për të qenë diktatorë. Dhe, të jesh diktator pas 23 vitesh të rrëzimit të bustit, patjetër, në mënyrë shumë intuitive, del edhe propozimi që ‘Bustet ranë, Diktatorët jo…’!”, u shpreh Bamir Topi.

Top Channel