Kallëzohet për evazion Rezart Taçi

21/12/2013 00:00

Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas  hetimesh intensive në sekret të plotë, gjatë dy muajve të  fundit, dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj biznesmenit të njohur Rezart Taçi, për evazion fiskal dhe mospagim taksash.

Dyshohet se abuzimi kap shifrën e gati 15 milionë dollarëve. Në këtë kallëzim, kopje e të cilit nga burime pranë task forcës është siguruar prej Top-Channel, mësohet se krahas biznesmenit Reazar Taçi nën hetim janë edhe bashkëpunëtorët e tij në bizneset që kontrollon apo kontrollonte si: Anika Taçi, Mustafa Taçi, Drita Aliçka, Arjanit Kolgega dhe Irgen Selfo.

Së bashku edhe me punonjës të tatimeve dhe me persona të tjerë, shtetas shqiptarë apo të huaj, thuhet në kallzim, këta persona kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundraligjshme, që përbëjnë elementë të veprave penale si evazion fiskal apo mashtrim financiar, perfshirë edhe falsifikimin e dokumentave.

Në dosjen e përpiluar nga Krimi Ekonomik dhe që ndodhet në duart e prokurorëve të taks forcës së Tiranës, Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka renditur një mori faktesh, sipas të cilave Rezart Taçi dhe kompanitë e kontrolluara prej tij janë përfshirë në një skemë të gjëre mashtrimi.

Konkretisht shkeljet janë: Mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore i 566 mijë litrave naftë me vlerë të përafërt 486 mijë USD, të eksportuara nga kompania “TAÇI OIL” për shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”. Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave nga shoqëria “A.R.M.O” SHA, me administrator të përgjithshëm shtetasin Razart Taçi, me shumën 1.5 miliardë lekë.

Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 138.5 milionë lekë nga subjekti “Kuid” SHPK, në pronësi dhe administrim të Rezart Taçit. Po kështu, ekspertët e antikrimit ekonomik dyshojnë se krijimi i disa kompanive prej Rezart Taçit, me të njëjtin objekt aktiviteti (“A.R.M.O” SHA; “Kuid” SHPK; “Taçi Oil” apo “Kuarta”) të angazhuara në një sërë transaksionesh financiare e bankare ndërmjet tyre, ka shumë mundësi të jetë bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave.

Në dosje renditen edhe një sërë faktesh të tjera që lidhen me aktivitetin financiar të drejtuar nga Taçi apo kompanive të kontrolluara prej tij, që përfshijnë transaksione të dyshimta dhe xhirim të shpejtë parash në vlera të larta. Sipas të njëjtit sektor hetimi, në shumë nga këto operacione nuk ekzistojnë dokumentat bankare apo kontratat noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të fondeve dhe destinacionin e tyre pas tërheqjes.

Në dosje ndodhen dokumenta ku flitet për transferta prej 4.5 milionë eurosh në favor të shoqërisë “A.R.M.O”, me arsyetimin kalim fondi, apo transferta të tjera të kryera nga shoqëria në fjalë për likuidim detyrimesh, të cilat janë zhdukur pa lënë gjurmë duke u tërhequr menjëherë brenda ditës.

Në përfundim, ekspertët e antikrimit ekonomik përmendin edhe rastin tjetër për të cilin dyshojnë se mund të përfshijë edhe një mashtrim të përmasave gjigande. Sipas tyre, kjo lidhet me faktin se në shtator të këtij viti, një kompani zvicerane e quajtur “Societe Generale de Surveillance”, me seli në Gjenevë ka lëshuar nje faturë  në favor të “Niti Petroleum Company”, ku në pjesën përshkruese të mallit është shënuar: “Deklaratë për humbjen e produktit me vlerë totale 28.4 milionë dollarë”.

Sipas antikrimit ekonomik, ka dyshime se ky mund të jetë një tjetër mashtrimi i shoqërisë “Niti Petroleum Company”. Burimet thonë për Top Channel se Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po vijon hetimet ndaj disa personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë të dyshuar korruptive. Megjithatë, tashmë që dosjen e kanë gati, pritet që fjalën e fundit ta thonë prokurorët e task forcës, të cilët do të jenë emrat që pritet të merren si të pandehur.

Top Channel