QSUT dhe qendra e traumës

15/12/2013 15:25

Pas një situate të rëndë prej disa vitesh, me mungesa të theksuara të barnave dhe mosfunksionim të aparaturave, në Qendrën Kombëtare të Politraumave ka nisur puna normalisht.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas një vizite që ka kryer në ambientet e Qendrës së Politraumës në Laprakë ka deklaruar se gjatë këtij muaji janë lëvruar fonde emergjente për furnizimin me medikamente si dhe është vënë në punë aparatura e skanerit, i cili nuk punonte prej kohësh.

Beqaj ka premtuar se edhe gjatë 2014-s do të vijojnë investimet në Qendrën e Politraumës, pasi nga 1 Janari financimet për këtë qendër do të bëhen përmes ISKSH-së.

Sipas ministrit, politrauama do të ketë një vëmendje të veçantë, pasi mban peshën kryesore të urgjencave në gjithë vendin, ku në 24 orë paraqiten 70-80 raste si pasojë e aksidenteve.

“Mesatarisht janë 70-80 të aksidentuar në ditë që paraqiten në urgjendën e politraumës. Aktualisht, një skaner është i mjaftueshëm për urgjencën, por meqë është parashikuar edhe një skaner i ri që do të vihet në ambientet e urgjencës, do të ndikojë për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit”, deklaroi Skënder Buci, shef i urgjencës në shërbimin e traumës.

“Skaneri për ekzaminimet e urgjencës funksionon. Në laborator pajisjet dhe reagentët janë, prej 2-3 ditësh kemi filluar të lëvrojmë edhe një sasi barnash me vlerë 150 mijë dollarë, të cilat do të jenë të domosdoshme për garantuar një funksionim normal deri në javët e para të vitit”, deklaroi ministri Beqaj.

Ministri Beqaj ka theksuar se edhe për Spitalin Universitar “Nënë Tereza” janë marrë masa që deri në lëvrimin e fondeve të buxhetit të ri 2014 puna të vijojë normalisht.

Për të shmangur fluksin e vizitave drejt Tiranës, Ministri i Shëndëtësisë u shpreh se me buxhetin e ri do të fuqizohen edhe spitalet rajonale.

Top Channel