Berisha: Po vendoset shteti policor

19/11/2013 00:00

Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi mazhorancën e majtë se me masat e ndërmarra në dy muaj pushtet ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe se po synon të vendosë një shtet policor.

Në një takim me gazetarët, Berisha tha gjithashtu se kryeministri Rama është i vetmi person që nuk dëshiron marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, dhe këtë, sipas tij, e dëshmon edhe me qëndrimet kundër shtetit ligjor.

Berisha tha se ka abuzime në operacionet e policisë dhe se kjo e fundit është mbushur, sipas tij, me mercenarë.

“Nuk po bëhen përpjekje për marrjen e statusit. Edi Rama është personi i fundit që i intereson statusi dhe integrimi i vendit që e bllokoi për vite. Po ecim jo drejt konsolidimit të shtetit ligjor? Jo. Rama-Meta kanë vendosur një shtet policor ku efektivët e policisë janë kthyer në mercenarë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri u ndal edhe tek operacioni kundër ndërtimeve pa leje, që sipas tij po rrafshon edhe shtëpi të ndërtuara me leje.

“Po rrafshohen shtëpi të ndërtuara me leje. Nuk jemi më një shtet me simbolet tona kushtetuese. Qeveria Rama-Meta ka vendosur të krijojë një shtet në varësi të Kryeministrit”, u shpreh ish-kryeministri.

Top Channel