Vlorë, shtyhet gjyqi ndaj Shpëtim Gjikës

15/11/2013 00:00

Ka zgjatur vetëm pak minuta seanca e parë gjyqësore në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Ky i fundit është paraqitur në gjykatë i shoqëruar me avokatët e tij mbrojtës, ndërkohë që të pandehurit e tjerë janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës me përjashtim të Gentjan Serifaj, i cili ka paraqitur një raport mjekësor.

Gjatë fjalës së tij, avokati i Gjikës, Ardian Leka ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore, pasi nuk kanë informacione dhe nuk kanë lexuar dosjen e prokurorisë.

Pas konsultimeve, gjyqtarja Anastasi Shehu ka vendosur që të shtyjnë seancën për në orën 11:30 të datës 5 dhjetor 2013. Gjika akuzohet për lëshimin e dy lejeve të ndërtimit në kundërshtim me procedurat, ku ka hedhur firmën e tij pa kaluar kërkesën e subjekteve në KRRT.

Prokuroria e Vlorës e akuzon Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse pranë bashkisë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces-verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010. Lejet janë përfituar nga dy subjekte private, një prej të cilëve deklarohet se ishte edhe zyrtar në bashki.

Top Channel