Rama: Për Gjikën të flasë drejtësia

28/10/2013 00:00

Një ditë pasi Prokuroria njoftoi dërgimin si të pandehur në Gjykatë të
kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, me akuzat e shpërdorimit të
detyrës në dhënien e dy lejeve të ndërtimit në mënyrë të kundraligjshme,
vjen prononcimi i parë i Kryeministrit, Edi Rama.

“Shpëtim Gjika është një mik, përveçse edhe një figurë e lartë politike e Partisë Socialiste, në krye të njërit prej qyteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë. Akuza e Prokurorisë është shumë e rëndë dhe faktet e pretenduara nga Prokuroria janë tejet të rënda. Ne të gjithë ndihemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjithë duam të shpresojmë se akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron. Ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga Prokuroria për korrupsion dhe abuzime me detyrën shtetërore, as sot, as kurrë”, tha Rama.

Kryeministri Rama i deklaroi grupit parlamentar socialist se drejtësia duhet të bëjë punën e saj.

“Ne të gjithë ndjehemi të detyruar ndaj 1 milion shqiptarëve, të cilët na zgjodhën edhe për të luftuar korrupsionin në çdo nivel dhe pa dallime partiake që sot të kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj, deri në fund, pa asnjë pengesë politike. Nuk ka pikë dyshimi se dëshira jonë është ta shohim Gjiken të çliruar nga akuza e rëndë dhe ne duam të shpresojmë se kryebashkiaku socialist i Vlorës do të provojë pafajësinë e vet me argumente dhe fakte të besueshme”, tha Rama.

Pas këtij inkurajimi, që drejtësia të përmbushë misionin e saj, Edi Rama tha se ai qëndronte pranë zotit Gjika në këtë situatë.

“Si socialist dhe si mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situate do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij, edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë, siç pretendon Prokuroria. Por, si kryetar i PS dhe si Kryeministër i këtij vendi, unë mundet vetëm ta inkurajoj Prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre deri në fund dhe ne të mund të presim që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit”, theksoi Rama.

Top Channel