“Qeveria rrit borxhet për luks”

20/10/2013 00:00

PD akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se nga data 4 tetor, përmes Aktit Normativ, i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarë. Deputetja Jorida Tabaku tha se ky borxh  merret i gjithi kryesisht nga tregu i brendshëm, duke i hequr mundësinë bizneseve të përdorin këtë për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve.

“Zyrtarisht qeveria bëri të ditur se në tre muajt në vijim do të mbledhë rreth 360 milionë dollarë të ardhura më pak.  Paaftësi apo më keq akoma, devijim i të ardhurave nga buxheti i shtetit të cilën duhet ta paguajnë shqiptarët me borxhin e ri. Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997, dhe as në 2005. Dua t’ju rikujtoj që në 2005 mbas ndërrimit të qeverive u mblodhën rreth 120 milionë dollarë më shume se sa ishte parashikuar nga qeveria socialiste”, tha Tabaku.

Nga selia e opozitës deputetja Tabaku dha detaje se për cfarë do të përdoret ky borxh.

“Për herë të parë në Shqipëri ne kthehemi 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative.  Po kemi rritje, kemi rritje tek shpenzimet për pritje e përcjellje e për zyra e rregullime te tjera. Kemi rritje që variojnë nga 130 mijë dollarë tek Ministria e Jashtme, në mbi 600 mijë dollarë në Kryeministri dhe deri ne 4.2 milionë dollarë në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë që shqiptarëve, hapja e çdo ministrie të re i kushton mesatarisht 300 mijë dollarë për 3 muajt në vijim”, deklaroi deputetja demokrate.

Top Channel