Borussia fiton Superkupën e Gjermanisë

27/07/2013 22:40

Borussia Dortmund ka fituar mbrëmjen e së shtunës Superkupën e Gjermanisë, në një ndeshje spektakolare kundër Bayern Mynchen që ka përfunduar me rezultatin 4-2.

Ka qenë Marco Reus që ka zhbllokuar situatën në favor të Borussia-s në minutën e ‘6 në “Iduna Park”, duke ndezur kështu “motorin” e ndeshjes.

Pavarësisht tentativave të Bayern për të barazuar dhe rivalëve që kërkonin dyfishimin e rezultatit, pjesa e parë u mbyll 1-0.

Në të dytën ka shpërthyer dhe vala e golave. Pas shumë përpjekjesh, Arjen Robben barazon rezultatin pasi godet saktë me kokë një kros të Philip Lahm në minutën e ‘54.

Por barazimi i bavarezëve ka zgjatur vetëm dy minuta, pasi një autogol i Van Buyten, që tentoi të largonte me kokë një top nga zona e Bayern riktheu Borussia-n në avantazh.

Por nuk mbaroi me kaq. Një minutë më vonë, një goditje spektakolare brenda zonës nga Ilkay Gündogan, pas një aksioni të nisur në të djathtë, çoi pretendentët në kuotën e tre golave.

Por Bayern nuk dorëzohet. Është sërish Robben që ringjall shpresat e bavarezëve, pasi dërgon në rrjetë një top të pasuar në zonë nga e djathta, edhe pse fillimisht ndodhej me kurriz ndaj portës.

Goli u jep kurajo djemve të Guardiola dhe në kërkim të golit, Muller godet në portën kundërshtare por topi prek traversën, duke dridhur portierin e Borussia-s.

Por kjo e fundit reagon dhe në minutën e ’85 shënon sërish me Reus golin e katërt, që vulos kështu ndeshjen. Lojtarët e Borussia-s arritën të çanin mbrojtjen e kundërshtarëve dhe Reus dërgoi në portë topin, pavarësisht përpjekjeve të Lahm për ta ndaluar.

Top Channel