Nishani, thirrje institucioneve

15/07/2013 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, gjatë një takimi pune i ka bërë
thirrje drejtuesve të gjashtë institucioneve te pavarura kushtetuese,
mes të cilave Banka e Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e
Larte që të vazhdojne me profesionalizëm punën e tyre edhe në këtë
moment tranzicioni të pushtetit, siç ai e quajti.

Per kreun e shtetit reformat duhet te vazhdojne me te njejtin ritëm.

“Do të ishte e dëmshme dhe kundërproduktive stepja apo edhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet. Kjo gjë s’duhet të ndodhë, jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja  përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare”, tha Nishani.

Zoti Nishani tha se te gjithe keto institucione duhet te kene paresor interesin publik dhe te mos nderrmarrin hapa kundershtues apo refuzues ne bashkepunimin me mazhorancen e re te majte.

“Pavarësisht legjitimitetit moral apo ligjor, të gjitha kërkesat, deklaratat apo çdo ndërhyrje e jashtme që mund të vijë prej politikës duhet konsideruar vetëm si dicka, së cilës i duhet përgjigjur korrektësisht, por jo si pengesë objektive për të kryer detyrat dhe objektivat që i ka vënë vetes secili prej institucioneve tuaja”, tha Nishani.

Sipas kreut te shtetit funksionimi i institucioneve duhet te mbeshtetet vetem mbi ligjin dhe asgje tjeter.

“Në mirëfunksionimin e tyre nuk ka krah politik, farefis, familjarë, shokë e shoqe, ka vetëm ligj. Vetëm përmes këtyre parimeve do të mundësojmë që realizimi i ëndrrave të secilit shqiptar të bëjë të mundur realizimin e ëndrrës së madhe të Shqipërisë, për të qenë një vend i lirë dhe i begatë, me dinjitet të vetin dhe të secilit shtetas”, tha Nishani.

Presidenti i Republikes u takua ne mesdite edhe me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi.

Top Channel