Berisha: Rama do sjellë rrënimin

19/06/2013 21:35

Me premtimin e rritjes së rrogave e të pensioneve, kreu demokrat Sali Berisha u është drejtuar qytetarëve të Korçës, në mitingun përmbyllës të zhvilluar në këtë qytet. Në fjalën e tij, Berisha ka akuzuar Edi Ramën, si personi që di të shqiptojë vetëm fjalën rrënim.

“Fitorja e 23 qershorit është fitorja e përpjekjes sonë për mirëqënie më
të madhe. Në mandatin e ardhshëm do rriten rrogat për korçarët dhe
shqiptarët. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 700 dollarë dhe minimale nën
300 dollarë. Rrogat e sektorit publik do të rriten 75 për qind, por
mirëqënien më të madhe do ta bazojmë tek punësimi masiv i korçarëve dhe
shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

“Kryetari i PS i ndyer në autobusin mavi vjen këtu në këto sheshe dhe shqipton dhjetë herë nga fillimi në fund fjalën rrënim. Shqipton me gjuhën e edukatës së tij, fjalët plak, gjysh, katragjysh, por nuk shqipton njëherë të vetme fjalën rrogë, pension, ndihmë ekonomike, ndihmë për të papunët”, tha Berisha.

Larg vëmendjes së Berishës nuk mbeti as kërkesa e kongresmenit amerikan për të hetuar, atë që kreu demokrat e cilësoi si pastrim parash.

“Njeriu më i fuqishëm në Kongresin e SHBA, kryetari i komisionit të jashtëm për Euro-Azinë ka kërkuar zyrtarisht një hetim për ju, për larje parash për 80 mijë dollarë. Jepu shpjegim shqiptarëve, se kjo është e vërtetë si drita e djellit. Zoti Rama, shpjegoua mirë, sepse me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka”, tha Berisha.

Pasi e akuzoi Ramën edhe për fshehje të pasurisë, kryeministri ftoi
elektoratin korçar që më 23 qershor të votojë për Partinë Demokratike.
“23 qershori është dita e ëndrrës tuaj, entuziazmit tuaj. Numri 44 është
e ardhme, mirëqënie, begati, integrim në Evropë. Përpara”, tha Berisha.

“Tuneli, ëndrra që u bë realitet”
Berisha në Elbasan: Kjo vepër është fobi për Edi Ramën

Vetëm 3 ditë pas inaugurimit të rrugës Tiranë-Elbasan, Sali Berisha është rikthyer sërish në këtë qytet, për mbylljen e fushatës elektorale. Tuneli i Krrabës ishte kryefjala e Berishës, e cila – sipas tij – është një ëndërr, që u bë realitet.

Duke përdorur lajmin për përkthimin e librit “Kurban” të Edi Ramës në turqisht, Berisha ka sulmuar këtë të fundit lidhur me fobinë e tij për tunelin e Krrabës.

“Në Kurbanin tënd të dytë, tunelin mund ta quash si ta duash, tuneli i lotëve apo i pikëllimit, por cdo qytetar i këtij qyteti, apo cdo shqiptar kudo që është, atë e quan tunel të bekuar, të shpresës, të zhvillimit dhe së ardhmes”, deklaroi Berisha.

Në Elbasan, ai është shprehur i entuziazmuar nga banorët e mbledhur në mitingun përmbyllës të fushatës.

“Uragani i fitores është sot më madhështor se kurrë. Sot ju, në këtë natë magjepsëse, tregoni se asnjë pazar nuk ju blen dot ju banorët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë. Ju jeni fitimtarë mbi çdo lloj pazari, mbi çdo lloj bllokimi, mashtrimi, regresi”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë më tej se në katër vitet që vijnë qeveria e tij do krijojë qindra mijëra vende të reja pune përmes investimeve dhe politikave lehtësuese.

“Kaskada e Devollit ka punësuar mijëra vetë, gazsjellësi TAP kalon nëpër Shqipëri do punësojë gjithashtu, ndërkohë që bizneset dhe uljet e taksave do të dyfishohen”, ka thënë Berisha. “Fermerët do kenë trefishimin e granteve, vaditje moderne, do t’u paguhet me para në dorë TVSH-ja për makinat, naftën, inputet e çdo gjë tjetër. Gjithashtu, ne do shndërrojmë fitoren tonë në vende pune, sepse ne do dyfishojmë turizmin”, ka thënë ai.

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit ka qenë një tjetër premtim i kryeministrit, i pasuar nga marrja brenda vitit të statusit të kandidatit dhe nisja e negociatave të anëtarësimit në BE.

Top Channel