Objektet e padobishme pas 20 viteve

21/05/2013 00:00

Gjithcka materiale e vënë në shërbim të njeriut synon gjatë gjithë kohës përmirësimin. Risitë teknologjike janë gjithmonë në përmirësim për të qenë sa më të dobishme dhe praktike në duart tona.

Ky evolucion “nxjerr” në pension objekte konkurente me funksione të njëjta, që për një arsye apo për një tjetër nuk janë më në lartësinë e duhur, s’janë më praktike apo se produkti i ri është më i përshtatshëm.

Shekulli i 20-të do të mbahet mend si shekulli i bumit teknologjik. Shkenca avancoi dhe nga qarkullimi u zhdukën mjaft objekte dhe aksesorë të jetesës së përditëshme, që u zëvendësuan ose nga gjenerata e re e tyre, ose nga një tjetër aksesor më praktik dhe më i dobishëm.

Mjafton të përmendim revolucionin në transport. Shpikja e makinës së parë në fund të shekullit të 19-të, çoi gradualisht në zhdukjen e mjeteve të transportit “primitive”, që ishin kryesisht kuajt dhe karrocat e tërhequr prej tyre.

Sigurisht, evolucioni vazhdon. Çdo brez, ndoshta pa e vënë re bëhet dëshmitar “i braktisjes” së një objekti për të përqafuar një tjetër më të përparuar. Por cilët do jenë disa nga objektet që për ne do jenë të padobishëm pas 20 viteve?

Së pari syzet miopike. Me zhvillimin e teknologjisë gradialisht po zëvendësohen nga operacionet kirurgjike dhe lentet. Zhdukja është e sigurtë…të paktën në formën që ne njohim sot.

Portofoli. Me ritmet e zhvillimit teknologjik gjithnjë e më pak njerëz paguajnë me para në dorë. Shumica zgjedhin të paguajnë nëpërmjet shërbimeve online, nga telefoni apo nga kompjuteri. Në shtetet e zhvilluara ky aksesor është në zhdukje, por vec tij, drejt zhdukjes po shkojnë edhe kartat e kreditit dhe bankomatet, të cilat “shumë shpejt” do të jenë vetëm një kujtim.

Radiot në makinë. Vështirë të gjenden edhe në këto kohë, ndërsa me telefonat inteligjentë në qarkullim, thuajse të gjitha kompanitë e prodhimit të automjeteve ndërtojnë një sistem të përshtatshëm për këta telefona, që përmbajnë muzikë, video, radio dhe GPS. Kur i ke të gjitha në një, pse të përdorësh radion tradicionale?

Çelsat. Gjithnjë e më shumë po përhapen dyert me kode kalimi, apo ato më të sofistikuarat me anë të retinës së syrit. Këto kanë një shtrirje të gjërë në vendet e zhvilluara. I vetmi problem i tyre është se si të hysh në shtëpinë tënde në rast të ikjes së energjisë elektrike?

Metri. Është përdorur për qindra vite me radhë nga ndërtuesit dhe fajtorë për zhdukjen e tij janë sërish telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e shumta që ata ofrojnë, një ndër të cilët është edhe ai i matjes së distancave.

Kukullat. Nuk mund të themi se do të zhduken krejtësisht, por që do të shndërrohen në një masë të madhe të padobishme po, dhe kjo falë zëvendësimit nga gjenerata e re, ajo e kukullave 3D.

MP3. Është një ndër urat lidhëse mes një celulari të thjeshtë dhe një telefoni inteligjent. Me përhapjen e këtij të fundit, duket aq i padobishëm, sa kalimi i tij “në arkiv” thuajse ka ndodhur.

Bateritë alkalinë. Edhe në këtë sektor ka patur zhvillime me hapa gjigantë. Shumëkush ka nëpër telekomandat e televizorit të tij bateri të tilla. Këto njihen si bateri tradicionale të cilat përdoren e më pas hidhën. Ato po humbasin gjithnjë e më shumë konkurencën me bateritë e gjeneratës së re, ato të rikarikueshme.

Faksi. U shndërrua në simbol të komunikimit në vitet ’90. Por sot, skaneri, posta elektronike dhe aplikacionet e ndryshme në celular, po e zhdukin atë.

Rrjetet e telefonisë fikse. Fibrat optike dhe telefonat celularë nuk janë më një ëndërr, dhe këto prej vitesh kanë fituar terren me hapa marramendës ndaj telefonisë konservatore.

Video-kamerat dhe aparatet fotografikë për amatorë. Që prej hedhjes së telefonit të parë me fotokamera, tregu i këtyre të fundit është vazhdimisht në rënie. Ato tashmë u interesojnë vetëm profesionistëve, ndërsa njerëzit e thjeshtë mjaftohen me fotot e marra nga aparatet celulare, mes të cilëve ka nisur edhe gara se kush hedh në treg kamerën me cilësore.

Miu dixhital (mouse). Ekranet me prekje dhe gjithë produktet e tjera, fillimisht të hedhura nga Apple, po nxjerrin gjithnjë e më shumë jashtë loje miun dixhital (mouse).

Karikuesit e baterive. Përse të karikosh telefonin apo cdo aparat tjetër duke shpenzuar kohë, ndërkohë që fare mirë këtë mund të bëjë vetë aparati, mjafton që të bjerë në konktakt me një objekt tjetër. Disa prej markave, kryesisht të telefonave celularë, kanë hedhur në treg produkte që vetëkarikohen në momentin që bien në kontakt me një trup tjetër, më të ngrohtë se ai. Aktualisht është ende në fazën fillestare, por për një kohë të shkurtër, nuk është cudi ta shohim të adoptohet botërisht.

Orët analoge dhe dixhitale. Orët janë të bukura, por të kufizuara me funksionet e tyre. Me hedhjen e smartwatch, do të duken gjithnjë e më arkaike e të lënë pas dore.

Top Channel