Greqi, gjykata dëmshpërblen shqiptarin

17/05/2013 16:15

Gjykata e Patrës, në Greqi, ka dhënë një vendim që mediat greke e konsiderojnë të rralle. Ajo vendosi të dëmshpërbleje një 36-vjeçar shqiptar me shumën 4.611 euro, për mbajtjen e tij padrejtësisht në burg për 5 muaj.

Sipas gjykatës, shqiptari do të marrë 29 euro për çdo ditë të kaluar prapa hekurave. Gjykata ka marrë parasysh dëmin ekonomik dhe moral të vuajtur prej tij.

36-vjecari u akuzua në vitin 1998 për grabitje dhe në vitin 2001 u dënua në mungesë me 13 muaj heqje lirie. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, i riu nuk ishte informuar mbi çështjen penale të hapur ndaj tij.

Ai u ndalua në aeroportin e Athinës në 4 shkurt të vitit 2012 dhe u dërgua në burg ku dhe u mbajt për 159 ditë. Në gjyqin e shkallës së dytë, ai mori pafajësinë, pasi u rrëzuan të gjitha akuzat e ngritura padrejtësisht.

Sipas analistëve të çështjeve ligjore, ky është një prej mijëra rasteve që shtetas shqiptarë dënohen dhe mbahen me padrejtësisht në burgjet greke.

Në shumë raste shtetasit shqiptarë janë dënuar maksimalisht për vepra penale për të cilat shtetasit grekë dënohen me gjoba ose dënime të lehta.

Top Channel