Xhakja rrëfen vrasjen e Tahirajt

08/05/2013 17:30

Në mungesë të ish-policit Kastriot Gosturani, adresa e të cilit shpresohet që të gjendet nga policia për të marrë dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj, ka folur i akuzuari për këtë krim, Ilir Xhakja.

Xhakja i tha gjykatës se para ngjarjes kishte qenë në xhami dhe se kur po kthehej kishte parë automjetin e nipit të tij, Ledios, në anë të rrugës.

Për shkak të merakut, ai ishte afruar pranë automjetit ku dhe kishte vënë re se në të ndodhej nipi dhe ish-polici Fatmir Hoxha, të cilin, tha i pandehuri, nuk e kishte njohur.

Po kështu, sipas të pandehurit, ai nuk kishte njohur edhe dy të tjerët, Kastriot Gosturanin dhe Adem Tahirajn, të cilët sipas tij ishin po ashtu të veshur civilë dhe madje edhe të pirë.

Xhakja i tha gjykatës se në një moment ishte ndodhur në mes të tyre dhe përgjatë fyerjeve të Adem Tahirajt ishte qëlluar nga pas nga Gosturani.

Në këto rrethana, kur u ndesh me provokimin e efektivëve, Xhakja pretendon se kishte qëlluar me armë zjarri pa e ditur se kë po qëllonte. Por prokuroria kërkoi që ky version të mos merret parasysh nga gjykata.

Top Channel