Vrasësi i balerinës, ende i “arratisur”

09/04/2013 00:00

Zyrtarët e Policisë së Tiranës pohojnë se janë afër arrestimit të Artur
Kuliçajt, i dyshuari kryesor për vrasjen e balerinës Sonila Tafa,
mëngjesin e së shtunës.

Të kontaktuar nga “Shqip” ata pohojnë se kanë pasur informacione se i kërkuari ndodhet në kryeqytet. Madje, drejtuesit e policisë pretendojnë se i kanë bllokuar daljet këtij personi, në një qytet me mbi 600 mijë banorë dhe i shtrirë në një sipërfaqe të konsiderueshme, ku ke mundësi “arratisje” nga të gjitha anët.

Por, sërish drejtuesit e policisë janë optimistë se 34-vjeçari do të bjerë në pranga dhe mësohet se ka pasur edhe negociata me familjen e tij. Me gjithë këto deklarata në “ajër”, në terren nuk është bërë ndonjë operacion për arrestimin, aq më tepër që policia e di që ndodhet në Tiranë.

Në raste të tilla, kur ndodh një vrasje, madje e një personi të pafajshëm, policia angazhohet tërësisht për arrestimin e autorit dhe nëse ka informacione “kreh” të gjithë zonën. Shpeshherë, patrulla të forcave speciale dalin në hyrje-daljet e Tiranës dhe me maska në kokë e kallashnikov në duar ndalojnë automjete dhe i kontrollojnë. Pavarësisht se terrorizojnë qytetarët, një operacion i tillë gjithmonë është mirëkuptuar, pasi qëllimi ka qenë ndalimi i elementëve kriminalë. Por, nga informacionet për vrasjen e Sonila Tafës, angazhimi i policisë ka munguar dhe për rrjedhojë, në ditën e katërt të vrasjes, nuk kemi arrestimin e autorit, por vetëm të bashkëpunëtorit. Ky i fundit, vetëm sa ka larguar Kuliçajn nga vendi i ngjarjes, megjithëse mund të hetohet për bashkëpunëtor në këtë vrasje. Duke u ndaluar tek hetimet për këtë çështje, policia thotë se vrasja mund të jetë aksidentale, madje me rikoshet, ku autori mund të hetohet për vrasje nga pakujdesia. Vepra të tilla penale kanë një dënim me rreth tre deri në katër vite burgim

Top Channel