Edi Rama nuk e ka ndalur aktivitetin politik në konsolidimin e koalicionit të majtë, pavarësisht pranimit të ftesës nga Ilir Meta, pasditen e së mërkurës.

Për rreth dy orë, Rama ka bashkëbiseduar me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, në një prej lokaleve të Tiranës.

Gjatë të gjithë kohës, Dule ka mbajtur shënim, ato që duhet të kenë qenë propozimet e Ramës, për ta patur edhe partinë e tij pjesë të koalicionit të majtë.

TCH: A mund të themi se keni patur negociata të suksesshme me zotin Dule për të patur koalicion?

Rama:
Zotin Dule e kam mik të kahershëm dhe do ta kemi mik gjithmonë, ndaj dhe nuk ulemi vetëm për negociata, por ulemi edhe për qejf.

Por a do të mjaftojë miqësia e shprehur nga Rama, që Dule t’i bashkohet koalicionit PS-LSI? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Gjatë një interviste për Top-channel, Vangjel Dule shprehu pakënaqësi në adresë të liderit të PS-së, duke pohuar se PBDNJ është duke studiuar ofertat e ndryshme për koalicion.

Dhe, një e tillë nuk ka munguar nga kryeministri Berisha, i cili, nga konferenca për shtyp e së martës, e ftoi Dulen të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.

Top Channel