“Ngrirja” e marrëdhënieve me PE-në

29/03/2013 00:00

Përveç lënies pas dore të reformave për integrimin, situata parazgjedhore ka “ngrirë” edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian. Shtyrjes këto vitet e fundit të rezolutave dhe takimeve ndërparlamentare, i shtohet edhe humbja e dy takimeve vjetore.

“Aktualisht kemi një pushim të marrëdhënieve mes dy parlamenteve që nënkupton se takimi i planifikuar ndërparlamentar për fundin e vitit të kaluar u anullua, sipas kërkesës së kolegëve tanë shqiptarë. Edhe tani, për shkak të fushatës zgjedhore mbajmë vetëm komunikime informale. Për këtë arsye, mendova se do të ishte mirë të merrja pjesë në konferencën e së hënës të organizuar në Tiranë për të shfaqur flamurin e Parlamentit Europian dhe për të folur mbi bashkëpunimin parlamentar. Ne tani po presim për zgjedhjet dhe formimin e parlamentit të ri. Shpresoj që bashkëpunimi të jetë intensiv, në mënyrë që të kompensojmë edhe kohën që kemi humbur për takime e bashkëpunim konkret”, shprehet Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin i PE-së.

Takimi i fundit ishte në verën e vitit të kaluar, takimi i tetorit u shty për në dhjetor e më pas për në prill dhe tani duket se do të ketë vetëm një takim në fund të vitit 2013. Pra, janë humbur dy takime ndërparlamentare. Kush është përgjegjës për këtë?

Situata në Shqipëri, jo ne. Ne i pranuam shpjegimet e kolegëve tanë shqiptarë se gjatë fushatës zgjedhore nuk kishte shumë vullnet dhe shumë premtim për pjesëmarrje të plotë të delegacionit shqiptar pasi anëtarët janë të angazhuar në fushatë dhe është e kuptueshme. Kjo është një situatë objektive që na ndaloi dhe i kuptuam kolegët shqiptarë që na shpjeguan se gjatë fushatës takimet do të ishin përdorur apo keqpërdorur për qëllime elektorale. Është e kuptueshme pasi gjatë fushatës të gjithë tentojnë të kenë sa më shumë vëmendje e vota dhe takimet ndërparlamentare nuk do t’i shërbenin qëllimit për të cilin janë krijuar.

Duke patur parasysh të gjitha përpjekjet e bëra nga Parlamenti Europian për të ndihmuar Shqipërinë, a e prisnit bojkotin e PD-së, anëtare e familjes tuaj politike, PPE-së, në konferencën e Tiranës, ku ju morët pjesë me komisionerin Fyle?

E respektoj vendimin e PD-së. Ishte një konferencë për shoqërinë civile.

Cfarë ndodh nëse Shqipëria dështon edhe këtë radhë me zgjedhjet?

Ky është një spekulim negativ dhe refuzoj t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Unë shpresoj se ata do të sillen në mënyrë të përgjegjshme sepse integrimi europian ka të bëjë me rregullat, vlerat dhe sjelljen e politikanëve dhe partive politike.

Ju jeni në dijeni të sulmeve të vazhdueshme të qeverisë në të kaluarën ndaj Top Channel dhe medias së lirë dhe kritike. Si e shihni sulmin e fundit, tre muaj para zgjedhjeve?

Liria e medias është një vlerë shumë e rëndësishme europiane. Ne i kushtojmë shumë vëmendje këtyre çështjeve dhe shohim se deri në çfarë shkalle është respektuar liria e medias.

Përgatiti: Arta Tozaj
 

Top Channel