Partia Demokratike, përmes deputetit Gerti Bogdani ka akuzuar Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Rama, se nuk kanë asnjë plan konkret për rritjen e punësimit, sikundër pretendojnë.

Në një deklaratë për shtyp, Bogdani ka akuzuar Ramën se po tremb bizneset me deklaratat dhe taksën e tij progresiste.

“Edi Rama nuk tha asgjë për krijimin e vendeve të punës, ai flet vetëm për taksën që do rrisë papunësinë. Taksa e tij po i tremb investitorët dhe po cënon vendet e punës që mund të krijojnë ata”, ka thënë Bogdani.

Sipas tij, Rama është kundër çdo nisme për zhvillimin e Shqipërisë dhe për këtë arsye urdhëron deputetët e tij që të votojnë kundër projekteve për avancimin e teknologjisë, siç është interneti me rrjet të gjerë dhe fibra optike.

“Rama është kundër pajisjes së qytetarëve me kompjutera. Sot shumica e shqiptarëve punojnë me teknologji dhe profesione moderne. PD do vijojë të marrë masa derisa gjithë shqiptarët të kenë infrastrukturën e nevojshme për të konkurruar në tregun evropian”, ka thënë Bogdani.

Top Channel