Verifikimi elektronik i zgjedhësve

25/03/2013 22:50

Megjithë problematikën e Fierit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot nënshkrimin e kontratës me një kompani spanjolle, për projektin e verifikimit elektronik të zgjedhësve në Tiranë.

KQZ thotë se, pavarësisht vonesave, është e angazhuar, që në Tiranë dhe Fier projekti të realizohet me sukses.

“Jam sot këtu për t’iu bërë me dije se sapo është nënshkruar kontrata mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kompanisë spanjolle Idra, e cila do të realizojë projektin e sistemit elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës. Vlera e ofruar nga kompania Idra për realizimin e këtij projekti është 2 milionë e 660 mijë e 995 euro pa TVSH. Testi i parë i këtij projekti do të zhvillohet në datën 23 prill 2013, ashtu siç parashikohet në Kodin Zgjedhor. Pavarësisht konstituimit me vonesë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ndikoi edhe në tejzgjatjen e afateve të procedurave prokuruese, ju garantojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar maksimalisht që dy projektet pilot, sistemi elektronik i numërimit të votave në qarkun e Fierit dhe sistemi elektronik i verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, do të realizohen me sukses”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha.

Top Channel