Itali, pranga dy shqiptarëve, u kapën me kokainë

09/03/2013 00:00

Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga policia italiane pasi u kapën në flagrancë me një sasi të konsiderueshme droge.

Sipas medieve italiane, 2 shtetasit shqiptarë të moshës 37 dhe 29 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije, ishin vëzhguar për një kohë të gjatë nga policia, e cila kishte marrë informacione se ata shpërndanin drogë në zonën e Sirmiones.

Pas kontrollit në apartamentin e tyre, policia gjeti rreth 15 kg drogë të llojit kokainë, peshore elektronike, materiale që përdoreshin për ndarjen e drogës në doza si dhe sekuestroi edhe 4 makinat e shqiptarëve, që dyshohet se përdoreshin për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Policia italiane po punon për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku të narkotikëve.

Top Channel