Shëndetësia, Berisha ironizon PS

18/02/2013 00:00

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u përqendrua tek pikat kryesore të programit të Partisë Socialiste për sistemin shëndetësor, ku propozohet që ky shërbim të blihet nga shteti dhe t’u ofrohet falas të gjithëve, duke mos u bazuar tek kontributi invidual për sigurimet shoqërore.

Por sipas kryeministrit Berisha, ky është një koncept jo vetëm i vjetër dhe kaotik, por edhe një gënjeshtër, pasi sistemi shëndetësor shqiptar ofron falas shërbimin shëndetësor edhe për të papunët, nëse ata përmbushin vetëm një kusht.

“Zoti Rama u thotë shqiptarëve se janë rritur tarifat për të papunët. Ky lexon Kosta Barjabën, varianti i ri i Ramiz Alisë. Harron se ky vend ka një ligj që u garanton të papunëve shërbime pa pagesë, rimbursim, me një kusht të vetëm, të sjellin dokumentin e papunësisë. Kjo nuk i intereson zotit Rama se numri i të papunëve nxjerr atë që është dhe atij i duhet numri i Ramiz Alisë dhe i Kostës, 1 milion. Është në kërkim të 1 milionshit”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha publikoi të dhena sipas të cilave në 8 vite, qeveria ka rritur disafish fondet, si për Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe për fondin e barnave të rimbursueshme, duke rritur edhe numrin e këtyre barnave, ku përfituesit kryesorë janë pensionistët.

“Deklarata jote se janë rritur çmimet për pensionistët është trillim. Pensionistët në Shqipëri marrin falas barnat nëpërmjet rimbursimit. Dhe nga pensioni nuk heqin një qindarkë, sepse ato u rimbursohen. Por ka një gjë zoti Rama. Tetë vjet rresht votove kundër rritjes së pensionit të tyre. Nga ana njerëzore nuk të nderon, të nxjerrë të zhveshur nga ndjenjat”, u shpreh Berisha.

Kryeministri pranoi se shëndetësia shqiptare është larg të qënit e përsosur dhe ka nevojë për ndërhyrje të tjera reformuese, kryesisht në menaxhimin e saj. Por ai tha se është i papranueshëm qëndrimi i kreut të opozitës, i cili kërkon të marrë disa vota më shumë duke e bazuar alternativën e tij mbi mashtrimin e shqiptarëve dhe mohimin e gjithçkaje.

“Nuk është se nuk ka vend për kritika, por jo të adaptosh nihilizmin si platformë, se nihilizmi të detyron të besosh gënjeshtrën tënde. Uroj që të bëjë një përpjekje të madhe që të dalë nga rrethi vicioz i gënjeshtrave të tij”, shtoi më tej Berisha.

Top Channel